Rëndohet situata nga kushtet meterologjike në qarkun Kukës. Sektori më i goditur nga reshjet e shiut është furnizimi i popullatës me energji elektrike, ku të gjitha njësitë administrative të qarkut Kukës janë në errësirë, siç bëhet me dije nga grupet e punës të ngritur në Shtabin e Emergjencave Civile në Prefekturën Kukës.
Situata nuk është aspak normale edhe në rrugët nacionale dhe ato rurale për shkak të rënies së vazhdueshme të gurëve e dherave. Firmat kontraktuese kanë nxjerrë në terren mjetet dhe punonjësit e tyre për mbajtjen hapur dhe në monitorim të akseve, pavarësisht rrëzikut që u vjen edhe vetë këtyre të fundit duke punuar në kushte ekstreme të motit.
Safet Nerguti, punëtor në mirëmbajtjen e rrugëve: Terreni është shumë i vështirë, ka pasur ngrica, rreshje bore dhe shiu. Gjatë natës ka pasur rënie gurësh por nuk ka pasur bllokime të rrugëve.
Lëvizja në akset e thella malore, siç është ai i Shishtavecit, është një sfidë më vete për drejtuesit dhe pasagjerët e automjeteve, pohojnë pëdoruesit e kësaj rruge.
“Rruga është e vështirë pasi të rrezikohet jeta. Gurët mund ti bjenë në xham, poshtë gomës, kshu që është shumë e rrezikshme. Sot nuk kishte shumë rënie gurësh“, është shprehur një shofer .
“Lëvizja është e vështirë, shmang gurët dhe bën aksident me tjetrin,” ka thënë një tjetër shofer i cili përdor këtë aks rrugor.
Reshjet e shiut kanë ndikuar në rritjen me shpejtësi edhe të nivelit të ujit në liqenin e Fierzës, duke rritur edhe rrezikun për shkarkime, të cilat do të kishin efekt mbi dy ujmbledhësit e tjerë të lumit Drin, atij të Komanit e Vaut të Dejës. Shkarkime të cilat pasohen me përmbytje të zonës së nën Shkodrës.