Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar mbi situatën e krijuar në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës. Meta bën thirrje për qetësimin e situatës në veri të Kosovës, ku prej disa ditësh në pikat kufitare ka tensione për shkak të vendosjes nga pala kosovare të reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Presidenti Meta shkruan se ruajtja e integritetit territorial të Kosovës është faktor i rëndësishëm për fqinjësinë e mirë në rajon. Ai fton palët që të ulen në bisedime, dhe tiu përmbahen të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.
“Ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është faktor kyç për konsolidimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon dhe baza e ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me Serbinë. Në këtë frymë palët duhet të kapërcejnë tensionet, të vijojnë dialogun dhe t’u përmbahen detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura nga të dy vendet me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA”, shkruan Presidenti Ilir Meta.
Kosova ka vendosur reciprocitetin me Serbinë për targat e automjeteve. Kjo do të thotë që makinat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisen me një tabelë provizore që kushton 5 Euro, njësoj sikurse Serbia vepron me automjetet që janë me targa të Kosovës.
(E.K/Faxweb.al)