Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako deklaroi mbrëmjen e sotme se koronavirusi është një emergjencë civile që ka karakterin e emergjencave shëndetësore.
Çako tha në News 24 se për këtë arsye është vënë në lëvizje e gjithë qeveria ndërsa foli edhe për rezervat shtetërore duke argumentuar se nëse mbyllen importet që nuk e besonte të ndodhte, rezervat janë të plota, nuk do të mund të kushtëzohen.
“Është një emergjencë civile e karakterit të emergjencave shëndetësore, parashikuar në ligjin 45 për Mbojtjen Civile, ndaj edhe e gjithë qeveria është vënë në lëvizje, bashke me të gjitha strukturat e shtetit, të cilat zbatojnë masat e marra nga Task Forca. Kjo është një pandemi e pa ndodhur më parë, janë në alert gjithë vendet e botës. Ne me të gjitha strukturat jemi të angazhuara për zbatimin e masave për t’ju ardhur në ndihmë gjithë qytetarëve. Nëse mbyllen importet, gjë që nuk besoj që ndodh pasi jemi pjesë e një tregu të lirë, rezervat janë të plota, nuk do të mund të kushtëzohen”, tha Çako.