Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ka dalë në një konferencë ku ka folur për situatën e përmbytjeve në Shkodër.
Ademi kërkon që të mblidhet shtabi i emergjencave dhe të shpallet gjendja e emergjecave.
“Duhet analize pasi nuk është mbledh akoma shtabi. 2 ditët që vijnë sipas IGJEUM do jenë më të vështira dhe askush nuk po angazhohet. Ne kemi dëm të shkaktuar nga KESH kështu që ato duhet të marrin pergjegjesi. Harta po zgjerohet dhe dëmet gjithashtu.”
Sipas llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, “rezulton se lumenjtë do të kenë prurje të larta në pjesën veriore të territorit. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme. Sot (e martë, dt.06) dhe në vazhdim përgjatë datave 7 dhe 8 Mars 2018 në basenin Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të vazhdojë rritja e prurjeve dhe e niveleve. Rritja e niveleve në pjesën e Ultësirës së Shkodrës do të varet edhe nga shkarkimet e kaskadës në Lumin Drin. Paraprakisht, nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, rritet rreziku i zgjerimit të hartës së përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës. Nivelet më të larta janë llogaritur të arrihen në datën 8 Mars 2018.”
(M.Q/Faxweb)