Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ishte sot në Durrës ku ndoqi nga afër angazhimin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura.
Vengu shoqërohej në inspektimin në zonën e ish-Kënetës në Durrësin e ri nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe prefekti i qarkut të Durrësit, Emiljan Jani.
“Pas një situate reshjesh shumë të dendura për më shumë se 12 orë rresht, Durrësi ka njohur një situatë komplekse për sa i përket përmbytjeve”, tha Vengu.
Ai theksoi se, “bashkia do të vijojë punën sa i përket evidentimit të dëmeve”.
Ndërsa kryebashkiakja Sako u shpreh se sot situata në qendër të qytetit dhe kryqëzimet kryesore paraqitet e qetë.
“Problematike, siç kemi vizituar deri tani shumë familje është zona e ish-Kënetës apo e Durrësit të ri, ku ne kemi bërë një bilanc aktualisht sepse ekipet kanë qenë që dje në terren gjatë gjithë kohës dhe grupet e punës të vlerësimit të dëmeve kanë filluar menjëherë punën”, tha ajo.
Ajo tha se, falë edhe ndërhyrjes që është bërë në argjinaturën e Erzenit që ka qenë një problematikë e vazhdueshme, kjo zonë nuk ka pasur problematika.
“Zona e Shkozetit paraqitet me problematika dhe zona e Plazhit, ajo që është më afër shinave apo pjesës së kanalit, por dhe aty kemi grupet”, tha ajo.
Sako theksoi se do të bëhen vlerësimin e dëmeve.
“Ne do të bëjmë vlerësimin e dëmeve dhe më tej do të bëjmë miratimin menjëherë të tyre për të shpërblyer për dëmet që kanë pësuar në banesat e tyre”, tha Sako.
Ministri Vengu theksoi se, “hidrovori ka funksionuar në kapacitet të plotë dhe vijon edhe tashmë të funksionojë në kapacitet të plotë”.
“Prurja dhe aluvionet e ndryshme në disa prej kanaleve kanë krijuar disa zona tampon që po pastrohen”, tha ai.
Ministri nënvizoi se, “vëmendja duhet të jetë maksimale që të qëndrojnë mjetet, qoftë mjetet e ndërmarrjeve publike qoftë mjetet e Forcave të Armatosura që i keni në dispozicion”.