Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në një prononcim për media nga terreni foli mbi situatën e zjarreve në vend, ku theksoi se aktualisht ndodhen 9 vatra zjarri në të gjithë teritorin e vendit, ku më problematike gjendja shfaqet në zonën e Kukësit. Për sa i përket zjarrit në Gadishullin e Karaburunit, Peleshi thekson se ai u shua plotësisht dhe nuk më asnjë vatër aktive.
“Ndodhemi pranë vatrës më serioze. Nuk jemi në një moment triumfi përfundimtar, por të paktën për këtë zonë që na ka munduar, sot mund të themi që ka zero vatra zjarri. Sot Gadishulli i Karaburunit është i qetë, pa vatra zjarri. Por kemi ende shumë ditë të nxehta përpara, çdo gjë mund të ndodhë.
Jemi të përgatitur dhe të gatshëm për të përballuar çdo gjë, por mirë. Kemi ende 9 vatra zjarri aktive, më kritikja është në Kukës, dy vatrat atje. Kemi 175 vatra zjarri të shuara, kemi rreth 3 mijë trupa në rang vendi të angazhuara, kemi 1.500 forca zjarrfikëse në të gjithë vendin”, tha Peleshi.
Nga ana tjetër Ministria e Mbrojtjes përmes një deklarate theksoi se në të gjithë territorin e vendin janë shuar plotësisht 175 vatra zjarresh.
Në deklaratë bëhet me dije se po vijon puna nga toka dhe nga ajri për të izoluar vatrat e zjarrit në “Majën e Rrunës”, njësia administrative Malzi. Situata nuk paraqet më rrezik për tunelin e Kalimashit.
Nën monitorim janë disa vatra zjarri në vendin e quajtur Dragodi, në Luginën e Valbonës në Tropojë, ku dyshohet zjarrvënie e qëllimshme.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Mbrojtjes:
Situatë më e qetë zjarresh në vend, u shuan 175 vatra
Pas 2 javësh në betejë me zjarret në të gjithë territorin e Shqipërisë, situata sot paraqitet me e qetë.
Në të gjithë vendin janë shuar 175 zjarre, ndërsa mbeten aktive 9 vatra. Në këto operacione janë angazhuar rreth 3 mijë efektivë të Forcave të Armatosura, rreth 150 mjete të FA, rreth 300 forca policore, rreth 1800 forca zjarrfikëse, mbi 370 mjete të MZSH, 20 ambulanca, mbi 1 mijë punonjës bashkiakë, mbi 300 punonjës të shërbimit pyjor, 101 punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe 822 forca vullnetare.
Ndërhyrja nga ajri u krye përmes ekuipazheve të 7 helikopterëve të Shqipërisë, Holandës dhe Çekisë. Një ndihmë e madhe në punën për shuarjen e zjarreve ishte edhe mbështetja me pajisje nga SHBA.
Aktualisht nuk ka më vatra zjarri në gadishullin e Karaburunit, por puna po vijon në Dukat të Ri, nga toka dhe nga ajri për të normalizuar tërësisht situatën për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.
Më e qetë paraqitet situata edhe në Mirditë, ku po vijon puna për stabilizimin e flakëve në fshatin Thirrë. Nën kontroll po mbahen vatrat në fshatin Munellë dhe Domgjon.
Po vijon puna nga toka dhe nga ajri për të izoluar vatrat e zjarrit në “Majën e Rrunës”, njësia administrative Malzi. Situata nuk paraqet më rrezik për tunelin e Kalimashit.
Nën monitorim janë disa vatra zjarri në vendin e quajtur Dragodi, në Luginën e Valbonës në Tropojë, ku dyshohet zjarrvënie e qëllimshme.
Janë izoluar vatrat në drejtim të fshatit Patalej në Lezhë.
Vijon puna për normalizimin e vatrës së riaktivizuar në zonën e Mbrojtur te Guri i Nikës në Pogradec, ku nuk paraqitet rrezik për banesa.
Janë drejt shuarjes përfundimtare vatrat e zjarrit në Malin e Tomorrit dhe në fshatin Therepel në Skrapar.