Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj gjatë një interviste televizive ka folur për dy masat që po merr Bashkia e Tiranës përsa i përket taksave vendore në këtë situatë pandemie dhe tha se për të lehtësuar sa më shumë këto biznese, çdo detyrim tjetër do të shtyhet për në Qershor.
Gjithashtu Veliaj gjatë fjalës së tij foli edhe për një proces që e administron bashkia siç janë kreditë e buta, duke nënvizuar se afati për aplikimet do të shtyhet dhe askush nuk do të privohet.
“Për çështjen e taksave, më kanë pyetur shumë qytetarë. Për 10 mijë biznese që janë në Tiranë dhe që përdorin hapësirën publike ne do të falim taksën e hapësirës publike për të gjithë periudhën e marsit dhe do t’i paraprijmë edhe prillit. Pra për mars dhe prill, bëhet 0 taksa për bizneset që përdorin hapësirën publike në Tiranë.
Ndërkohë që për çdo detyrim tjetër do të shtyhet për në Qershor. Kështu që askush nuk duhet të ketë ankthin se do të ketë kamatvonesë ose penalizime. Duke e shtyrë për në qershor i japim një hapësirë kujtdo që të bëjmë edhe ne reduktimin e muajve që nuk ka pasur punë”, thekson Veliaj.
“Për rreth mbi 1 mijë aplikantë që ne kemi për banesat me kredi të butë, ne e kemi shtyrë aplikimin deri në maj. Prapë nuk ka asnjë ngut për një familje të re që kërkon të adresojë strehimin e vet, do të ketë kohë deri në maj që të përfitojë nga skema e Bashkisë. Kështu që nuk ka asnjë arsye që të jenë në ankth apo të paduruar për të kapur orët e punës, që ne në fakt i kemi dedikuar vetëm për emergjencat, nga ora 8 e mëngjesit deri në 13”, deklaroi Veliaj.
Discussion about this post