Situata e zjarrit në parkun kombëtarë “Lurë – Mali Dejës” vijon të mbetet kritike. Janë qindra hektarë pyje halore të përshkuara dhe djegura nga zjarri i cili ka nisur tashme prej afro 20 ditësh. Ndërhyrjet nga toka dhe ajri kanë qenë thuajse të paefektshme për shkak se nuk është mundur që të izolohet vatra e zjarrit.
Mësohet se deri tani ka përshkuar më shumë se 400 HA pyje nga fshati Gurë Lurë, Zall Gjoçaj e deri në Mas Dejë.
Sipas strukturave të mbrotje civile në prefekturën Dibër, në vatrën e zjarrit poshtë liqenit të Hotit që bashkohet me basenin dhe mbi fshatin Gurë-Lurë zjarri është vënë nën kontroll dhe po mbahet nën monitorim nga 23 forca ushtarake, 5 efektiv zjarrfikës, 20 punonjës të Bashkisë Dibër, 10 punonjës e vullnetarë nga Njësia Administrative Lurë, drejtues të A.K.M.C, si dhe drejtuesi i Emergjencave Civile të Prefekturës. Po ashtu është planifikuar që të luftohet nga ajri me anë të avionit por meqë ambjenti ishte i mbuluar me tym dhe mund të rrezikohej jeta e pilotit është vendosur që të anullohet ndërhyrja në një vatër tjetër zjarri që është aktive dhe e përhapur në vendin e quajtur “Gjura e Pllaut” sipër gropës së madhe. Terreni është shumë i vështirë dhe nuk mund të ndërhyhet me forca tokësore.
Sa i përket zjarreve në parkun natyror “Ulëz – Shkopet”, vatra e zjarrit në luginën e Shkopetit është fikur plotësisht një ditë më pare, por u riaktivizua pasditen e sotme në afërsi të tunelit të madh, ndërsa po luftohet për të fikur vatrën tjetër që është në kufirin ndarës mes Matit, Mirditës dhe Kurabinit.