Arbitri iranian Alireza Faghani është vënë në qendër të kritikave në vendin e tij, pasi në Botërorin rus ai është fotografuar duke i dhënë dorën dhe përqafuar një femër që nuk dihet kush është.
Sipas ligjit islamik të Iranit është e ndaluar që një burrë të prekë një femër të panjohur, përveç ndonjë rasti urgjent.
Faghani gjykoi katër ndeshje në Botëror, madje mori edhe medalje bronzi, pasi gjykoi “finalen” e vogël, atë mes Anglisë dhe Belgjikës.
Dhënia e dorës ndaj një femre është cilësuar si një sjellje e shpifur dhe imorale nga konservatorët iranian. Por, vetë gjyqtari në fjalë e ka cilësuar këtë si një veprim krejt normal, pasi deklaroi se e njeh gruan në fjalë prej 5 vitesh, po ashtu edhe bashkëshortin e saj që është një mik i ngushtë i tij, po gjyqtar edhe ai.
“Nuk e kuptoj këtë. Ajo më përgëzoi për gjykimin që bëra unë. Nëse ata vazhdojnë të më kritikojnë për këtë, ju them që tani se do largohem. Do marr gruan dhe fëmijët e mi dhe do iki”, tha Faghani .
Irani është ndër ato vende që nuk lejon që femrat të shohin ndeshje në stadium bashkë me meshkujt. Vetëm disa muaj më parë femrave iu dha e drejta për të shkuar në stadium. Pas 40 vjetësh femrat iraniane ndoqën në stadium një ndeshje futbollit, atë mes Iranit dhe Spanjës.