Shkarkimi i Haki Çakos nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka shkaktuar debat në skenën politike dhe mediatike në vendin tonë.
Së fundi në lidhje me këtë ka reaguar edhe historiani Kastriot Dervishi. Ai thotë se nuk ekziston asnjë parametër në ligj që shkarkimi të bëhet për çështje shpejtësie, siç kishte argumentuar Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj pas shkarkimit të Çakos.
Dervishi ironizizon duke shkruar në Facebook se “Nuk gjen kund në botë si policia jonë, e detajshme në dhënien e lajmeve ordinere pa pikë rëndësie, por e paqartë për mënyrën si u ndryshua drejtori i saj”.
POSTIMI I PLOTË:
Drejtori i “policisë që deshëm”
Këshilli i Ministrave vendosi dje me një vendim qarkullues të ndërpresë mandatin e drejtorit të Policisë së Shtetit. ish drejtorit i mbeteshin edhe 2 vjet nga mbarimi i mandatit të nisur në vitin 2015. Në njoftimin e dhënë u falënderua drejtori i “policisë që duam” për “kontributin, angazhimin, përkushtimin” dhe “drejtimin me profesionalizëm” të Policisë së Shtetit, si dhe u motivua kjo lëvizje për një shpejtësi më të mirë të ekipit të rendit dhe sigurisë në vend. Sipas nenit 13/3 të ligjit nr.108, datë 31.7.2014 “Për Policinë e Shtetit”, mandati i drejtorit të Policisë së Shtetit është 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Kësisoj, çdo shkarkim i drejtorit të Policisë së Shtetit, para mbarimit të mandatit, duhet të jetë i motivuar për shkelje të rënda të detyrës ose për paaftësi. Në të kundërt është akt i paligjshëm dhe mund të goditet në gjykatë. Nuk njihen shkarkime për çështje shpejtësie sepse këtë “parametër” nuk e njeh ligji. Ne jetojmë në një vend ku lajmi policor është “bukë edhe gjellë”. Nuk gjen kund në botë si policia jonë, e detajshme në dhënien e lajmeve ordinere pa pikë rëndësie, por e paqartë për mënyrën si u ndryshua drejtori i saj.
(B.H/Faxweb)
Discussion about this post