Mbrëmë në mesnatë besimtarët katolikë kremtuan gjithashtu lindjen e Krishtit, në Katedralen e Shën Palit.
Mesha e tyre u kremtua nga Arqipeshkvi i Arkidioqezes Tiranë-Durrësit, Imzot Xhorxh Frendo.
Kjo ishte mesha e parë që imzot Frendo kremton për Krishtlindje, që pas marrjes së detyrës, pas ndarjes nga jeta të Imzot Rrok Mirditës.
Festa e Krishtlindjeve është një nga kremtimet më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera.
Ajo kremtohet dhe festohet çdo datë 25 dhjetor dhe në të kujtohet lindja e shpëtimtarit Jezu Krisht. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët.
Bashkë me urimin për të gjithë besimtarët, kjo dioqezë ka lajmëruar se nuk do të organizojë pritjen tradicionale me politikanë.
“Krishtlindja është sigurisht festa e të gjithëve, por veçanërisht e të varfërve dhe të atyre që janë në kufijtë e shoqërisë tonë. Është ky motivi pse Arkidioqeza e Tiranë-Durrësit ka vendosur që, në Krishtlindjen e këtij viti, në vend të pritjes zyrtare për pushtetarët, politikanët, ambasadorët e të tjerë, të organizojë një drekë për të varfrit në ambientet e Arqipeshkëvisë Tiranë-Durrës”, thuhet në njoftimin e Imzot Frendos. (E.K/SHUPLAKA)
Discussion about this post