Arrestimi i Henri Çilit mbrëmjen e së enjtes ka nxitur mjaft reagime në rrjetet sociale dhe jo vetëm, veçanërisht në radhët e gazetarëve dhe njerëzve të medias.
Një pjesë e mirë e tyre i kanë dalë në krah Çilit, ndërsa e konsiderojnë të ekzagjeruar arrestimin e tij në flagrancë, sa kohë që nuk është një person me rrezikshmëri të lartë.
Ndër të parët që reaguan ishin Arjan Çani dhe Lorenc Vangjeli, të cilët thonë se Çili do të kishte shkuar vetë në polici pa qenë e nevojshme që të kapej në befasi.
Nga ana tjetër shumë kolegë të Çilit nuk e përjashtojnë mundësinë që arrestimi i tij të jetë një hakmarrje nga ana e qeverisë, për shkak se botuesi dukej se kishte ndryshuar linjën e tij, jo vetëm editoriale , por edhe atë publike.
Arjan Çani
Gjithë dynjaja flet sot për Henri Çilin. Duhet thënë që Henri Çili është nga ata njerëz po ta merrnin në telefon dhe t’i thoshin ‘hajde se je i arrestuar’ ai do shkonte, nuk kish nevojë ta kapnin në befasi. Ka dalë gjithë dynjaja në përgjime.
Lorenc Vangjeli
Bëhet fjalë për një djalë të jashtëzakonshëm, botues, analist, duket se ka rënë në fatkeqësi.
Nikollë Lesi
Akoma s’dua ta besoj se Henri Çili është përzier në çështje të shkeljeve të ligjit, por dua të besoj se është pjesë e luftës politike, aq më tepër që Çili kritikoi qeverisjen.
Henri Çili është një nga analistët më të mirë të vendit dhe unë e kam pasur gazetar në të madhen KOHA JONE.
Shpresoj se Çili duhet të flas në seancën gjyqësore për të treguar të vërtetën e arrestimit.
Po përdoren dy standarde, duke e krahasuar me Vangjush Dakon, i cili as u ndalua e as u arrestua e madje as nuk u hetua.
Eni Vasili
Henri eshte një koleg dhe bashkepuntor i cmuar dhe jam e prirur te besoj që ai vetë ndodhet në mes të njē keqkuptimi të madh. Sigurisht akuzat janë të rënda por me aq sa e njoh Henrin e kam të pamundur të besoj që ai është përfshirë në të tilla cështje dhe kam bindjen që ai nuk ka asnjë lidhje me to.
Jam e prirur ti besoj deklaratës që ai vetë ka bërë se nuk ka asnjë lidhje me akuzat. Ajo që më bën pershtypje është që arrestimi i tij po marketohet si fryt i reformës në drejtësi. Kjo me duket qesharake dhe e nxituar. Nëse reforma është bërë për të arrestuar analistët mendoj se jemi larg asaj që të gjithe kemi shpresuar nga ky investim i madh. Henri Cili nuk është nje njeri me rrezikshmeri shoqërore, por nje njeri i fjales dhe akademizmit , ndaj mendoj që mund të hetohet edhe ne gjëndje të lire.
Karlo Bolino
Po nga informacionet e para, nëse akuzat janë të vërtetuara, është një akuzë shumë e rëndë, është një pozicion shumë i rëndë i zotit Çili. Nëse nuk vërtetohet si akuzë është akoma më e rëndë se kjo tregon që policia ka vepruar shumë lehtë.
Ajo që është faktuar sipas policisë dhe prokurorisë është që ai mund të ketë marrë dy apartamente si shpërblim, tokë në Gjirokastër dhe 700 mijë euro që këta ia kanë premtuar nëse do të arrinte të zbuste dënimin.
Armand Shkullaku
Pavarësisht se për çfarë akuzohet Henri Çili, do të jetë gjykata ajo që do të vërtetojë, ose jo, fajësinë e tij. Për mua, ajo që më ka lënë shije shumë të keqe, është mënyra sesi u bë arrestimi i një personi publik dhe mbi të gjitha, ekspozimi që iu bë kësaj afere në media.
Në radhë të parë ne e dimë që Henri Çili, as ka vrarë njeri, as ka grabitur njeri e as nuk ishte në kushtet e flagrancës. Siç morëm vesh ne, ky ishte një proces për të cilin prokuroria tha se kishte hetuar prej muajsh. Arrestimi në mes të natës, në orët e para të mëngjesit, shoqërimi me pranga në Gjirokastër, nxjerrja e imazheve për publikun, më tepër ka për qëllim denigrimin për hir të një shoë propagandistik sesa hetimin me paanësi të një çështjeje.
Ne e dimë se botuesi apo drejtuesi i UET-së, kolegu ynë, nuk ka qenë person me rrezikshmëri të lartë. Fare mirë mund të ishte thirrur, t’i komunikohej akuza e pse jo të hetohej në gjendje të lirë. Kem i raste që banditë të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje po dalin për sjellje të mirë në burg apo shërbime ndaj komunitetit. Kemi një kontradiktë shumë të madhe mes asaj që shohim përditë dhe shoë-t që na serviri qeveria dhe policia, në rastin e Çilit.
Kjo më ka lënë një shije të hidhur. Më kujton arrestimet që bëheshin në kohën e diktaturës kur nuk ishte qëllim zbardhja e së vërtetës, por terrorizimi i popullsisë dhe denigrimi i personave që merreshin nga organet e drejtësisë. Për mua është e njëjta skemë që ndodh në regjimet autoritare dhe diktatoriale.
Henri Çili është një personalitet publik në Shqipëri. Unë nuk e di sa të vërteta janë ato që thuhen për të, nëse i ka kryer apo jo. Këtë nuk e marrë përsipër, por mënyra me të cilën është vepruar jam totalisht kundër. Do të thosha që kontributi i tij si themeluesi UET, si botues, por edhe si një përfaqësues i opinionit publik ka qenë një kontribut i dëshmuar në gjithë këto vite, pavarësisht se mund të mos jemi dakord me idetë e njëri-tjetrit. Por, në rastin konkret ne të gjithë si kolegë duhet të bashkohemi në një pikë që, mënyra sesi u trajtua ky rast nuk ishte aspak humane dhe na ka lënë të gjithëve një zhgënjim shumë të madh.
Sigurisht procesi do të vazhdojë, unë mendoj se nëse do të hetohet në mënyrë të paanshme do të dalin edhe të vërteta për këtë çështje. Vetë Henri dhe avokati i tij nuk kanë folur ende për të sqaruar akuzat e ngritura mbi të, por ajo që do të kisha dashur të shihja është heqja e prangave nga duart e një kolegu që nuk po akuzohet për një krim të rëndë. Qoftë korrupsioni pasiv, qoftë falsifikimi i dokumenteve që i mësuam nga prokuroria janë vepra penale, që mund të hetohen në gjendje të lirë. Për më tepër që bëhet fjalë për një individ që as ka rekorde kriminale, as nuk ka kryer një vepër të rëndë dhe as është person që paraqet rrezikshmëri publike. Gjëja e parë që do të doja të shihja është që Henri Çili të hetohej në gjendje të lirë, ose në kushtet e detyrimit të paraqitjes. Pastaj, përgjegjësinë për aktet e kryera e mban a i si individ, nëse i ka kryer sigurisht do të marrë dënimin që parashikon ligji.
Që me këtë rast do të bëhej show, u parandie kur kryeministri dhjetë ditë më parë në një fjalë që mbajti për rastin e OFL-së, madje edhe në emisionin “Opinion”, tha se ka botues dhe analistë që paguhen nga krimi i organizuar. Nëse ai e ka ndarë mendjen pa filluar procesi se këta botues dhe analistë financohen nga krimi i organizuar, mendoj se e ka dhënë verdiktin para se të nisin hetimet dhe kjo nuk më pëlqen.
Armand Maho
Çfarë fshihet pas arrestimit të Henri Çilit!
Për shkak të rrethanave familjare Henri Çilin e njoh prej gati 30 vjetësh! Ndoshta se njoh aq mirë sa shumë prej bashkepunëtorëve të tij, por e njoh. E ka nisur karrierën nga zeroja, madje nën zero dhe arriti të bëhej publicist, botues dhe biznesmen i suksesshëm. Ka qenë kryeredaktori im i parë këtu e 20 vjet të shkuara, koleg, ashtu sikundër shumë të tjerë qe sot kanë qepur gojën në rastin më të mirë, ose janë lëshuar ta shqyejnë në rastin më të keq.
Qe nga mengjesi i sotëm (djeshëm) po shoh një zell të tepruar të pushtetit për ta njollosur. Të aferm te tij po më thone që është arrestuar në oret e vona të nates dhe të pakten deri në orën 00.30 të mbrëmjes policia ka refuzuar të tregojë vendimin e gjykatës. Deri në oret e para të mengjesit Çili nuk e dinte përse akuzohej! As nuk i shkonte mendja. Më pas policia pa treguar asgjë, asnjë urdhër apo vendim i ka kontrolluar shtëpine dhe universitetin.
Çështja është fare e thjeshtë! Nuk po goditet Henri Çili se ka ndërhyrë për lirimin nga burgu të një të dënuari në një gjykatë që fundja nuk ekziston ( Bëhet fjalë për Gjykatën e Lartë ku laj thaj është vetëm Dvorani) po goditet imazhi i tij. Ai nuk ishte pjesë oborrit të Rilindjes, pavarësisht piruetave me sfond politik majtas e djathtas që unë personalisht i kam kuptuar. Prej do kohësh ai kish shfaqur shenja pakënaqësie ndaj Ramës që e përkrahu për të ardhur në pushtet në vitin 2013.
Pse e them këtë? Të arrestosh me forca policore një personazh publik, biznesmen dhe botues pa vendim gjykate kjo do të thote se dikujt i ke shkelur në kallo, ndersa vendi ka rrëshkitur në diktaturë. Henri Çilit do i mjaftonte një telefonatë për tu paraqitur ku të donte Prokuroria, e Permetit apo e Mezhgoranit qoftë. Por në fakt jo më kot është përzgjedhur një degë prokurie periferike ku prokurori i vetëm eshte dhe kreu i institucionit për të bërë tërë këtë bujë . Për të nxjerre drejtorin e Policise në media e pas tij të gjithë shpuren qeveritare që nga Erjon Brace, Sandër Lleshaj e deri tek Prokurori i Përgjithshem që pershendeste pavaresinë e institucionit të tij. Zot na ruaj!
Ne të gjithë këtë zallamahi, që më shumë se vepër penale është ushqim për qentë e ndryshëm mediatikë të oborrit, ka disa gjëra që nuk shkojnë. E para nëse flasim për ndikim kush është pasoja? Pra nga ky ndikim i Çilit kush u lirua nga burgu?!
E dyta bëhet fjalë për nje marrëdhënie mes dy individësh, dhe ai që ka paguar sdimë të ketë bërë ndonjë denoncim. Çili ka në pronësi një biznes që quhet Studio Legale, e pavarur nga UET. Në rast se Aliko Senior kërkonte një shërbim për Aliko Junior atëhere aq është çmimi i shërbimit të atij biznesi?! Sa studio ka që kanë çmime shumë herë më të kripura?
E dyta, nëse bëhet fjalë për ndikim të paligjshëm, pse krimi ekonomik shkon e rrëmon kartelat e studentëve apo pasqyrat financiare të universitetit kur studioja legale është biznes tjetër me vete?! Apo dhe për këtë ka dhënë urdhër prokuroria e Mezhgoranit?
Dhe e treta mbetet për tu parë se tek kush ka ndikuar!. Pse prokuria dhe policia nuk bën të ditur emrin e personit te kontaktuar nga Çili ne Gjykatën e Lartë që nuk është ngritur ende. Pra flitet vetëm për ndikuesin por jo të ndikuarin qe tek e fundit ka në dorë dhe çështjen?
Kemi të bëjmë me nje ngjarje aq qesharake sa nuk ke nga ta kapësh nga ta lëshosh. Por dicka ma tha me të drejtë dikush sot “ këta ( Rilindja) janë te aftë t’a bëjnë qimen buall, e buallin qime”! Fjala vjen në rastin kur në përgjime për trafik votash kapet Gjushi, bualli bëhet qime, kur flitet për trafikun e drogës së Tahirit e njëjta gjë.
Kur flitet për Ulsiun, Damianin, Taulantin, apo dhe vetë Lartgjatësinë që dirigjon manupulime votash dhe çuditi botën, sërish “Bualli bëhet qime”, ose përgjimet interpretohen si “ biseda mes miqsh”! Natyrisht ska si ndodh ndryshe, këta janë oborri ose pjesë e oborrit. Këtij establishment të leckë nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar i duhet dikush bëhet “ kurban” në emër të “Reformës për Drejtësi” që po vetë e bënë paçavure. Dikush duhet të paguajë që ta marrin vesh dhe ata “ ndyrësirat” e opozitës, se me Zeusin dhe Olimpin nuk luhet. Dhe ku ka më mirë se Çili, që deri dje përkrahte Ramën? Ne kete rast po, ajt ta bëjmë “ Qimen Buall”! Po kujdes, drejtësia duhet të vije nga Përmeti nëpërmjet operacionit Mezhgorani që të dukemi si “Biçim të pavarurish” ose të “hedhim gurin dhe fshehim dorën” .
Ashtu siç kjo drejtësi e “pavarur” vjen dhe për ata të dritave që varnin veten në qeli , apo ata të çative pa leje që sot qajnë fëmijët që ju vranë në aksidente teksa shkonin për të takuar baballarët në burgjet e Rrogozhinës. Duhet dhe një Erjon, që Rilindja i ka me shumicë që të na mbushë mendjen se po vihet drejtësi. Mundësisht atë të voglin që kërcëononte gjyqtarët në sallë në Durrës me qëllim që të nxirrnin nga qelitë të arrestuarit e rilindjes për korrupsion dhe “Shpërdorim detyre”. Po ai nuk ishte ndikim madje akoma më keq kërcënim apo kjo kjo bëhet në emër të një “ideali të madh”. Duan të na mbushin mendjen se kjo që i ndodh gazetarit nuk bëhet se duan ti rrëmbejnë biznesin, me metoda mafioze dhe banditeske pasi Çili nuk vjen nga kasta e bllokut dhe e oborrit Rilindas. Jo, jo gjithçka bëhet në emër të “Drejtesisë së re”! Medet ku na hodhi Zoti!
Roland Qafoku
Shpreh keqardhjen për arrestimin e Henri Çilit dhe nuk e fus veten tek ata persona që u gëzuan nga ky lajm. Është një lajm i trishtë për komunitetin e medias dhe do uroja që të gjitha akuzat ndaj tij të mos ishin të vërteta. Por, të paktën sipas asaj që raportoi në mënyrë të detajuar gazetari korrekt Arsen Rusta, impikimi i tij në këtë aferë ka qenë aq i thellë sa mua më ka lënë pa fjalë.
Është jashtë parimeve të mia që një gazetar kushdo qoftë ai, aq më tepër me statusin e Henri Çilit, të bëhet pjesë e implikimeve dhe favorizimeve në këmbim të lirisë të dikujt, aq më tepër kur kur kjo liri lidhet me persona të dënuar për vrasjen e një polici që u përball më krimin. Megjithatë, në të njëjtën kohë, unë do të doja që me të njëjtin standart të vihen përpara përgjegjësisë penale ata politikanë e pushtetarë të lartë, të majtë dhe të djathtë, që janë bërë pjesë e krimit të organizuar, që kanë abuzuar me paratë e shtetit dhe që për ironi opinion publik i njeh mirë.
Aq më tepër akoma që provat ndaj tyre janë të vërtetuara dhe ndaj tyre dhet vetëm vullnet, guxim dhe ndershmëri. Suksesi më i madh në goditjen ndaj krimit dhe korrupsionit vlerësohet kur pushtetarët e korruptuar të jenë të parët që goditen nga sistemi i drejtësisë. Ndryshe, ky “kapërcim radhe” lë vend për dyshime të mëdha. Pritshmëria imediate e opinionit publik është që drejtësia e re të veprojë fillimisht ndaj kësaj kategorie.
Alfred Lela
Ndalimi i Henri Çilit, një personazh i njohur publik, me një varg akuzash, që shkojnë nga ‘mashtrimi’ deri te ‘ndikimi i organeve të drejtësisë’, u bë lajmi i madh i ditës sot në media. Sigurisht, Çili duhet të përgjigjet para ligjit për akuzat e ngritura ndaj tij dhe, sipas një parimi të shenjtë të drejtësisë, ai mbetet i pafajshëm derisa të provohet fajtor. Policia e Shtetit, me anë të drejtuesve më të lartë dhe nëpërmjet operacioneve të shumëfishta, duke kryer kontrolle në UET dhe më pas në shtëpinë e botuesit, ka bërë gjithçka që të përdorë Çilin si ‘poster man’ të një rrjeti të dyshuar kriminal, për të ngritur një shtjellë komunikimi publik të cilën, të paktën ne gazetarët, duhet ta shohim vëngër dhe me dyshim.
Pas Ardi Veliut, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, që doli në një konferencë speciale shtypi, u shpreh publikisht edhe ministri Lleshaj: me një status në rrjetet sociale ai foli për ‘organizatë të strukturuar kriminale’ dhe ‘efekte të reformës në drejtësi’. Të bën të dyshosh një përkufizim i tillë i Henri Çilit si pjesë e një ‘strukture të krimit të organizuar’ ndërkohë që disa familje dhe disa personazhe famëkëqij të botës së krimit janë liruar nga kjo akuzë e rëndë për njëqind arsye e shumë ‘moskompetenca’. Të bën të shkulesh gazit ironik edhe frymëzimi që kërkon të ngjallë ministri Lleshaj te reforma në drejtësi, duke arrestuar një njeri të botës mediatike dhe universitare, një avokat dhe disa kontrabandistë hashashi ‘small time’, në kufirin Shqipëri- Greqi. A pret publiku, megjithë mend, dhe a do të shpërblehet me faktin se ‘peshku i madh’ i parë i reformës në drejtësi është Henri Çili?!
Është i kuptueshëm ngazëllimi dhe nxitimi, si i z. Veliu dhe i z. Lleshaj, si i policëve dhe prokurorëve të thjeshtë me publicitetin që u siguron emri i Henri Çilit. Eshtë shpagimi që ata kërkojnë dhe marrin të paktën për pak kohë (një ditë e ka edhe korbi, thoshte Camaj) nga njerëz që shkrujanë, botojnë, lobojnë, kanë një zë publik. Imagjinoni sa të lumtur do të ishin sikur të mund të arrestonin edhe Fatos Lubonjën, Andi Bushatin dhe kundërshtarë të tjerë të qeverisë apo të establishmentit. Kjo nuk do të thotë se Çili ishte anti-establishment, ai ishte në fakt përfaqësuesi par excellence i establishmentit; mbrojtës për disa vite i qeverisë; i heshtur përballë korrupsionit të saj, të policisë, të prokurorisë dhe gjykatave. Megjithatë, si zë i njohur i agorës publike, dhe jo si përfaqësues puritan i interesit publik, ai dhe të ngjashmit e tij, pjesë e komentariatit politik, zgjojnë mllefe dhe presin shpagime.
Paradoksalisht, heshtja e Çilit nuk funksionoi për të. Siç as piruetat. Askush nuk i doli për zot sot botuesit të disa gazetave, pronarit të një universiteti, individit me shumë lidhje, të hapura dhe okulte. Gazetarët dhe analistët duhet ta bëjnë, ama. Goditja shproporcionale ndaj Henri Çilit është goditje për të gjithë ne. Ndalimi (apo arrestimi) i tij do t’i shërbejë kryeministrit dhe njerëzve të tij për ta përforcuar tezën e tyre të ‘analistëve dhe gazetarëve të lidhur me krimin’. Çili duhet të paguajë për kundravajtjet e veta (nëse ka), por ne duhet të mbetemi syçelë ndaj kundravajtjeve të pushtetit. Çfarëdo të ketë bërë kolegu ynë, ai nuk besoj të jetë koka e krimit të organizuar në Shqipëri dhe as ‘peshku i madh’ i reformës në drejtësi. Kush na shtyn drejt kësaj, ose është idiot vetë, ose na di neve dhe publikun për idiotë.
Preç Zogaj
Çili është sipërmarrës privat, përpos gazetar që nuk ka menaxhuar asnjë qindarkë të fondeve publike. Reforma në drejtësi është konceptuar për fondet publike që ky nuk i ka prekur kurrë me dorë. Ai s’ka prekur asnjë miligram drogë. As në krim nuk është përfshirë
Ne jetojmë në një ambient ku kërkohet ndërhyrje. Si mund të bëhet sot ndërhyrje për të ulur dënimin në Gjykatën e Lartë e cila nuk ekziston. Me kë ka folur Çili? Është detyra e policisë që të tregtojë se kush është ky zyrtar. Janë gjithë këto pikëpyetje që tregojnë se është një veprim i nxituar. Nuk bëj avokatin, por duke parë se çfarë ndodh në Shqipëri, ai mund të hetohej në gjendje të lirë.
Jonila Godole
Arrestimi me bujë i Henri Çilit është shokues, për mënyrën se si u krye dhe u mediatizua. Henri mund të ishte hetuar në liri sepse as nuk do arratisej jashtë vendit, as nuk do kundërshtonte të bashkëpunonte dhe mbi të gjitha nuk paraqiste ndonjë rast rreziku shoqëror. Përkundrazi, rasti i tij u trajtua sikur kishim të bënim me kriminelin më të rrezikshëm dhe jo me një botues, studiues dhe publicist, një model të sipërmarrësit dhe njeriut të bërë vetë në Shqipëri, pa klane dhe lidhjet përkatëse familjare, me bllokistët e nomenklaturës apo me “pasanikët” e krimit pas 1990–ës. Në dekadat e fundit, shqiptarët janë njohur me video dhe materiale filmike të shumë figurave të rëndësishme politike, të cilët jo vetëm nuk janë arrestuar si Henri me forca policore dhe janë transportuar masa të rrepta sigurie, por janë shpërblyer me poste edhe më të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejt mbi jetën e shqiptarëve.
Për këdo që e ka njohur nga afër Henri Çilin, dhe unë e njoh që kur ishim gazetarë në mes të viteve 1990, ai nuk mund të reduktohet thjesht në “një produkt të tranzicionit shqiptar” sepse është shumë më tepër se sa kaq, me gjithçka që arriti dhe që rrezikon të humbasë sot. Është modeli i njeriut me ide dhe vizion dhe energji, në një vend që vret idetë, “blen” vizionet dhe energjinë e kanalizon në punët e djallit. Henri Çili ka marrë kosto të mëdha përsipër personale dhe publike kur kauzat e tij kanë dështuar, kur ka mbështetur qeveritë dhe njerëzit e gabuar, ka riskuar dhe luajtur vazhdimisht me zjarrin gjatë gjithë ngjitjes së tij nga gazetar i thjeshtë dhe doktorant në Paris deri te pronari i një biznesi të suksesshëm.
Shpresoj që do të dijë ta përballojë siç duhet këtë betejë, më të vështirën e jetës së tij, në përballje me akuzat mjaft të rënda që i bëhen, të cilat ai vetë i mohon, dhe ka gjasë të jenë një flluckë sapuni, një sulm politiko-meditiak për të zhvendosur vëmendjen nga ngjarjet politike të ditës, apo një përpjekje për të inaguruar “me këmbë të mbarë” reformën në drejtësi, të cilën për ironi të fatit, Henri vetë e ka mbështetur vazhdimisht në biseda publike dhe private, edhe kur e kundërshtonin.
Një shije tjetër të hidhur të lë anatemimi që i bëhet si fajtor dhe goditja nga shumë anë, pa pritur të verifikohet akuza, si në gjyqet pa gjyq të diktaturës.
Prezumimi i pafajsisë është një ndër parimet bazë të shtetit ligjor të së drejtës dhe çdo përpjekje e pushtetit për të fituar kredite nga një individ potencialisht “i pafajshëm” duke e njollosur si “fajtor”, apo më keq akoma si “kriminel” etj, duhet të na bëjë skeptikë ndaj reformës në drejtësi dhe modelit të drejtësisë që duam të vendosim. Arrestimet selektive dhe të mediatizuara janë veprime propagandistike për të arritur objektiva politike! Kritikë duhet të na bëjë edhe pozicionimi dhe loja e mediave në këtë proces: Media nuk është prokurori apo gjykatë që të dënojë njerëz apo të shkatërrojë jetën dhe imazhin e personave publikë nisur vetëm nga dyshime dhe jo nga fakte, pavarësisht interesit që audienca ka për kësi lajmesh! Sepse nëse gjëma ka rënë sot mbi kokën e Henrit – le të supozojmë në mënyrë të padrejtë! – nesër mund të bjerë pa dashur në kokën e secilit prej nesh, dhe pavarësisht vendimit pozitiv që mund t’i japë gjykata një ditë, dëmi i shkaktuar ndaj personit dhe personalitetit të tij mbetet i parekuperueshëm.
(E.K/Faxweb.al)