Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një deklaratë për shtyp nga selia blu, referuar mocionit të Ballës për shkarkimin e Metës nga posti i Presidentit të Republikës është shprehur se një lëvizje e tillë është bllof i Ramës.
“Rama kërkon të vërë në skenë një telenovelë me dramacitet zgjedhor dhe presidencial për të hequr vëmendjen nga Astrit Avdylaj”,- shprehet kryedemokrati Basha, duke shtuar se ekzistojnë dy të vërteta: Zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë dhe Presidenti nuk do të shkarkohet.
Duke e cilësuar vendimin e Presidentit, si një “vendim të përgjegjshëm në shërbim të interesit publik”, Basha thotë e mbështet atë plotësisht, ndërsa shprehet se zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Është një periudhë e mjegullt politike, shqetësuese dhe ngatërruese për njerëzit, prandaj dua të ndaj me ju disa të vërteta dhe mendime.
Dua të them që në fillim dy të vërteta:
1. Nuk do të ketë zgjedhje lokale në 30 qershor.
2. Nuk do të shkarkojë kush Presidentin e Republikës.
Edi Rama po përpiqet të bombardojë opinionin publik me dy përbetime, që ai as nuk i mban dot, dhe as nuk ka interes t’i provojë:
Ai po përbetohet se do t’i mbajë zgjedhjet edhe pa dekret presidencial, edhe pa pjesëmarrje politike. Ai po përbetohet gjithashtu se do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit.
Janë të dyja bllofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj. Edi Rama nuk do që të flitet për krimin, drogën dhe vjedhjet e tij të përditshme. Ai nuk do që të flitet për Avdylajt dhe Dakot, për Çyrbet dhe Shullazët, për Gjiknurët, Manjat dhe Lalët.
Edi Rama po kërkon të vërë në skenë një telenovelë me dramacitet zgjedhor dhe presidencial, me shpresën që të harrohet fakti, se Astrit Avdylaj është de fakto kryetari i Partisë Socialiste të Durrësit, kryebashkiaku i Durrësit, kryepolici, kryedoganieri dhe kryetatimori i Durrësit. Ky, është fakti më i rëndësishëm politik i gjashtë viteve të fundit: fakti që provoi shkrirjen në një të krimit, Partisë Socialiste dhe qeverisjes socialiste.
Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e Presidentit, ndonëse e mbështes plotësisht. Politikisht unë mund të them që zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje. Politikisht unë mund të them se vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik.
Përtej cdo mendimi individual, ka një dhe vetëm një institucion që mund të shprehet: Gjykata Kushtetuese. Këtë Gjykatë e ka shkatërruar me krenari dhe mburrje Edi Rama, sikurse ka shkatërruar edhe Gjykatën e Lartë, dhe ajo sot nuk mund të shprehet.
Discussion about this post