Ushtria e Ukrainës ka raportuar për një numër të lartë të sulmeve me dronë rusë në disa rajone gjatë natës.
Sulme këto që vijnë vetëm pak orë pas përfundimit të armëpushimit 30 orësh të shpallur nga Moska me rastin e Pashkëve.
Forcat ajrore të Ukrainës lëshuan alarme sulmi për rajonin e Kievit, si dhe Kherson, Dnipropetrovsk, Cherkasy, Mykolaiv dhe Zaporizhzhia.
Në qytetin jugor të Mykolaiv, kryebashkiaku Oleksandr Senkevych tha se “shpërthime u dëgjuan”. Nuk dihet ende nëse ka pasur viktima.
Ushtria ruse nuk ka komentuar mbi sulmet e raportuara. Armëpushimi i shpallur nga Presidenti Vladimir Putin skadoi në mesnatën e së dielës me orën e Moskës (21:00 GMT). Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.
Pavarësisht një shprese se e kundërta mund të ndodhte, disa orë para skadimit të armëpushimit, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putin nuk kishte dhënë urdhër për ta zgjatur atë.