Pamje të rënda qarkulluan në media ditën e sotme ku disa të rinj dhunuan barbarisht një 30-vjeçar nga fshati Duhanas, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë. Siç shihej dhe në videon e dërguar nga një qytetar, tre djem të tërhoqën zvarrë shtetasin me iniciale N.Ç., dhe e çojnë pas një makine, ku e godasin me grushte e shkelma, pa pikë mëshirë.
Ndonëse i riu u rrëzua në tokë nga goditjet e marra, një prej djemve vijoi ta godasë me grushte e shkelma në kokë e fytyrë, derisa e lë pa ndjenja.
Qytetari tregoi se djemtë e përfshirë në sherr janë lënë të lirë. Sipas tij, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa i plagosuri mendohet se ishte një kamarier.
Mesazhi i plotë:
“Pershendetje JOQ! Ky sherr ka ndodhur para 3 ditesh ne qytetin e Beratit, ndersa sot djemte jane ne gjendje te lire. Eshte dicka shume e tmerrshme. Nuk i njoh personalisht djemte. Djali qe eshte goditur eshte kamarier me aq sa me thane ndersa sherri mendohet se ka ndodhur per motive te dobeta.”
Raportohet se i plagosuri ka qëndruar rreth 30 minuta i shtrirë në asfalt, pa ndjenja, deri në mbërritjen e ambulancës, pasi nuk është ndihmuar nga askush. Ai u transportua në Spitalin e Beratit, po për shkak të gjendjes së tij të përkeqësuar, 30-vjeçari u dërgua në gjendje kome në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Ndërkohë, deklarata e qytetarit është konfirmuar zyrtarisht, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat i ka lënë të rinjtë të lirë sot, pavarësisht se policia e ka cilësuar ngjarjen si plagosje të rëndë me dashje, ndërsa prokuroria ka kërkuar arrest me burg për ta.
Në një vendimin të turpshëm dhe skandaloz, gjykata e ka cilësuar dhunën barbare të ushtruar ndaj 30-vjeçarit si “plagosje e lehtë”, me supozimin se është bazuar në një akt mjeko-ligjor që e cilësonte “plagosje të lehtë”, ndërkohë të rinjtë janë lënë të lirë për të rrahur sërish kë të mundin, me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Mirëpo, pamjet filmike dëshmojnë qartë dhe pastër se viktima është dhunuar mizorisht, ka përfunduar pa ndjenja në tokë, madje një prej djemve dhunues e ka goditur me sa i “hëngri” këmba në fytyrë, duke ia përplasur kokën me gomën e makinës së parkuar.
Si mund ta quajë gjykata këtë ngjarje si “plagosje të lehtë”? A është ky sistemi i drejtësisë që duam? Mos ndoshta gjykata kërkon të na bëjë “qorra”? Mos vallë kanë marrë një “shpërblim” të mirë për të marrë një vendim të tillë, kaq absurd e skandaloz? A do gjejnë ndonjëherë drejtësi shqiptarët? Të dhunojnë në mes të ditës dhe gjykata i lë dhunuesit të lirë. Ja pra, ky rast dëshmon qartë se sa i korruptuar është sistemi i drejtësisë në Shqipëri, ku qytetarët shqiptarë duhet të durojnë jo vetëm padrejtësitë dhe vjedhjen e zhvatjen që u bëjnë politikanët çdo ditë, por edhe “talljen sistematike” të organeve të drejtësisë, shkruan JOQ
Policia njoftoi lidhur me ngjarjen se të rinjtë që dhunuan 30-vjeçarin janë arrestuar ditën që ndodhi ngjarja, të hënën. Në komunikatën e policisë thuhet qartë: Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale, ”Plagosja e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 88, 25 të Kodit Penal.
Njoftimi i Policisë për ngjarjen:
Nga Specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi nëd flagrancë i shtetasve: •F.G, 17 vjeç, •J.B, 23 vjeç, •K.M, 18 vjeç, të tre banues në Berat. Arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “13 Shtatori” në bashkëpunim me njeri-tjetrin, për motive të dobëta kanë dhunuar fizikisht shtetasin N.Ç, 30 vjeç, banues në fshatin Duhanas, Berat, i cili po merr mjekim në Spitalin Rajonal Berat. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale, ”Plagosja e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 88, 25 të Kodit Penal.
Discussion about this post