Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ndodhet në burg përmes një procesi që sipas opozitës po shoqërohet me shkelje të rënda ligjore.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike përmes Gazment Bardhit ka dënuar ashpër moszbardhjen e vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës së Apelit, duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje flagrante të së drejtës për një proces të drejtë dhe të rregullt.
Burgosja politike e Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Ervin Salianji, po shoqërohet edhe me një skandal tjetër nga Gjykata e Apelit. Në shkelje flagrante të ligjit, në tejkalim të çdo afati ligjor dhe të arsyeshëm, trupa gjykuese po refuzon të zbardh vendimin gjyqësor mbi bazë e të cilit një deputet i opozitës ndodhet në burg.
Sot një deputet i opozitës ndodhet në burg, pa një vendim gjyqësor të arsyetuar dhe pa shpjeguar arsyet e kësaj burgosje. Moszbardhja e vendimit të gjykatës përbën një mohim të së drejtës së deputetit Salianji për të paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë dhe për të kërkuar drejtësi në shkallët e tjera të gjyqësorit, brenda një afati të arsyeshëm.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë shkeljen e vazhdueshme të ligjit nga gjyqtarët Elona Toro, Iliba Bezati dhe Gent Shala, të cilët pasi urdhëruan pa ligj burgosjen politike të një deputeti të opozitës, vijojnë në dhunim brutal të ligjit të mos zbardhin arsyet e këtij vendimi skandaloz.
Vetëm regjimet totalitare burgosin kundërshtarët politik pa dhënë asnjë argument apo shpjegim. Vetëm në regjimet totalitare kundërshtarët politik burgosen për lirinë e fjalës dhe u mohohet edhe mundësia për të apeluar vendimin, përmes metodave kriminale të vonesës për zbardhjen e vendimit gjyqësor.
Ne arrijmë të kuptojmë që gjyqtarët janë në vështirësi të gjetjes së argumenteve ligjore për urdhrin politik të një përfaqësuesi të lartë të opozitës, dhe gjejmë rastin ti bëjmë thirrje Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt, si autorët real të atij urdhri, që të përfundojnë zbardhjen e vendimit dhe t’ia dërgojë për nënshkrim gjyqtarëve pa asnjë vonesë.