Alexandre Benalla, ish-truprojë e presidentit francez, Emmanuel Macron, të martën u gjend formalisht nën hetime për një kontratë të sigurisë, të nënshkruar nga një bashkëpunëtor i tij me një oligark rus, sipas burimeve të sigurisë.
Benalla, i shkarkuar nga detyra në vitin 2018 pasi ishte incizuar duke i sulmuar protestuesit, u ndalua nga policia e specializuar anti-korrupsion bashkë me gruan e tij si pjesë e një hetimi për marrëveshjet biznesore të ish-bashkëpunëtorit të tij në biznes, Vincent Crase, i thanë agjencisë AFP burimet e sigurisë.
Crase, ish-polic që ishte marrë me sigurinë e partisë së Macronit, u ka thënë hetuesve në vitin 2019 se marrëveshja me oligarkun rus, Iskander Makhmudov, e mbulonte sigurinë për të dhe fëmijët e tij në Francë dhe Monaco, përcjell Gazeta Express.
Benalla kishte mohuar se kishte ndonjë lidhje me këtë kontratë, kur ishte pyetur nga një komision parlamentar më 2018.
Ish-roja e klubeve të natës dikur ishte i afërt me presidentin francez, por që një kohë është bërë turpi i kreut të shtetit, shkruan France24.
Hetuesit francezë janë duke hetuar pastrim të mundshëm të parave dhe korrupsion në marrëveshjen mes kompanisë së Crase-s dhe Makhmudov-it, për të cilin thuhet se është i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.