“Niku” i përgjimeve të Ndrangheta-s ka fituar një tender gjigand, me vlerë mbi 9 miliardë lekë të vjetra për oksigjen mjekësor, të zhvilluar së fundmi nga Qendra Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë (QSUT).
Kompania “GTS”, me administrator Besnik Halili, është shpallur mesjavën e kaluar fituese e tenderit, pas një debati të zhvilluar mes anëtarëve të komisionit të procedurës, shkruan “Boldneës”.
Shkak për “përplasjet” mes stafit të QSUT-së së drejtuar nga Enkelejd Joti, ka qenë fakti se “GTS” është shpallur fituese, megjithëse ka paraqitur një ofertë gati 100 përqind të fondit limit dhe rreth 700 milionë lekë të vjetra më të lartë se sa konkurrenti tjetër në garë.
Tenderi. Në fillim të Dhjetorit 2020, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, shpalli tenderin me objekt “Furnizim me oksigjen te lëngshëm mjekësor për nevojat e QSUNT”, me fond limit 908.315.199 lekë të reja pa TVSH. Sipas të dhënave zyrtare, ofertat janë dorëzuar në datën 1 Shkurt 2021. Rezultati i tenderit nuk është shpallur publikisht, pasi QSUT është në pritje të afatit ligjor për ankimime të mundshme. Megjithatë, redaksia ka arritur ta konfirmojë përfundimin e tenderit, nëpërmjet një dokumenti të rrjedhur nga administrata e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Në tender kanë marrë pjesë dy kompani-njëra është ‘GTS-Gazra Teknike Shqiptare” dhe tjetra është një kompani e huaj, me seli në një prej vendeve ballkanike. Gjithnjë sipas të njëjtit dokument, kompania “GTS” ka paraqitur ofertën me vlerë 908.248.025 lekë të reja, ose thuajse sa ishte edhe fondi limit i tenderit. Ndërkohë, kompania tjetër, ka paraqitur një ofertë ekonomike me vlerë 838.992.518 lekë të reja. Pra, rreth 700 milionë lekë të vjetra më pak se sa “GTS”, e administruar nga Besnik Halili. Megjithatë, QSUT e Enkelejd Jotit ka vendosur të skualifikojë kompaninë me ofertën më të ulët, duke i dorëzuar tenderin 9 milionë dollarë kompanisë, emri i së cilës u shfaq në përgjimet e anti-mafias italiane, gjatë hetimeve kundër një grupi të lidhur me klanin mafioz “Ndrangheta”.
Ende nuk dihen shkaqet zyrtare për skualifikimin e kësaj kompanie. Por, sipas burimeve, një ndër shkaqet e skualifikimit ishte fakti që kompania e huaj nuk kishte paraqitur vërtetim për pagesën e energjisë elektrike në vendin e tij, i cili përbën kusht për kompanitë vendase, por jo për ato të regjistruara jashtë Shqipërisë. Në rast se konfirmohet ky “shkak skualifikimi”, atëherë rasti mund të përbënte një prej skandaleve më të mëdha në procedurat e prokurimit publik të zhvilluar jo vetëm prej QSUT, por edhe nga të gjithë institucionet publike në Shqipëri.
Ligji për Prokurimet Publike, në një prej amendimeve të shumta të tij, ka parashikuar si dokument standart në tendera edhe paraqitjen e vërtetimit për pagesën e energjisë elektrike. Ky parashikim ligjor u vendos gjatë fushatës së qeverisë së Edi Ramës për të ulur humbjet në rrjetin e energjisë elektrike në Shqipëri. Pra, ky vërtetim lidhet ngushtësisht vetëm me kompanitë shqiptare, si një mjet për t’i disiplinuar që të paguajnë rregullisht energjinë elektrike dhe për të mbuluar gropën e thellë financiare të operatorëve publikë të energjisë.
“Niku” i përgjimeve të Ndrangheta. “GTS”, kompania fituese e tenderit 9 milionë dollarë, është përmendur shpesh kohët e fundit. Një hetim i Anti-Mafias së Katanzaros në Itali zbuloi disa komunikime të një personazhi të lidhur me mafian, Andrea Gallo, ku diskutonte me bashkëpunëtorët e tij për një “Nik” shqiptar që ka lidhje të forta në qeveri dhe që mund t’u siguronte kontaktet për t’u përfshirë në biznesin e ndërtimit.
Përgjimet e publikuara edhe në median shqiptare, i takonin kryesisht periudhës 2017-2018 dhe ende nuk dihet nëse “Niku” u ka siguruar mbështetje dhe kanale komunikimi në qeverinë shqiptare dhe bashkinë e Tiranës eksponentit të Ndrangheta-s, Andrea Gallo e miqve të tij.
Të dhënat e siguruara nga dosja e Anti-mafias italiane zbuluan se personazhi “Nik” që përmendej në përgjime është Besnik Halili, një prej administratorëve shqiptarë të kompanisë italiane “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”. Vetë Besnik Halili, në një prononcim mediatik, pranoi se kishte pasur kontakte me Andrea Gallon, por ato nuk lidheshin aspak me leje ndërtimi në Tiranë apo me ndërhyrje në rangjet qeveritare shqiptare.
Ndërkohë që kjo histori e nisur nga Anti-mafias e Katanzaros ka ende shumë për t’u zbardhur, “GTS” vijon të sigurojë tendera në seri pranë autoriteteve shëndetësore shqiptare. Në një investigim që daton në Maj 2020, u zbuloi se kompania “GTS” kishte fituar thuajse të gjithë tenderat për blerje oksigjeni, të zhvilluar nga autoritetet shëndetësore shqiptare gjatë 3 viteve të fundit.
Tashmë, “GTS” fiton tenderin mbi 9 miliardë lekë të vjetra, duke dhënë ofertën thuajse sa fondi limit i tenderit.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe drejtori i QSUT-së, Enkelejd Joti, u detyrohen t’i japin një shpjegim shqiptarëve se përse 9 milionë dollarë të taksave të tyre përfundojnë tek një kompani, e përmendur si e lidhur me “Ndrangheta-n”, një prej grupeve mafioze më të fuqishëm në Europë.
(E.H/Faxweb.al)