Me urdhër të SPAK, është arrestuar Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Bëhet me dije se Meta është arrestuar nën akuzë për pastrim parash.
Arrestimi i tij ishte tërësisht i papritur, ndërsa kishte njoftuar një konferencë për shtyp në orën 13:40. Burimet thonë se Ilir Meta është arrestuar teksa shkonte me makinë në seli për të mbajtur konferencën. Prangat i janë vënë pranë Kthesës së Kamzës në Tiranë.
Burime thonë se Ilir Meta është arrestuar për skandalin e lobimit në SHBA dhe hetimin pasuror.
SPAK po e heton edhe për çështjen CEZ-DIA.
Skandali i lobimit
Në mes të muajit gusht të këtij viti, SPAK mori nën hetim Ilir Metën për lobim në SHBA me vlerë 690 mijë USD, para këto të padeklaruara as në KQZ dhe as në ILDKP. Procedimi penal ishte regjistruar që në qershor 2022, pas kallëzimit të referuar nga ish-deputeti Halit Valteri. Në duart e hetuesve janë dy kontrata të LSI-së dhe Ilir Metës, me kompaninë McKeon Group në janar dhe qershor 2017, për t’i siguruar Metës takime dhe aktivitete në SHBA. Si ndërmjetëse është përdorur kompania “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro, me administratorin e të cilës kishte lidhje Vangjel Tavo. Meta po hetohet për veprat penale të korrupsionit dhe falsifikimit të formularëve.
Lobimi 2 dhe fshehje pasurie
Në fillim të muajit korrik, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal, bazuar një tjetër kallëzim penal të ish-deputetit Halit Valteri. Pjesë e kallëzimit të dytë penal janë Presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, deputeti Petrit Vasili, ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, kandidatja për deputete e LSI, Elona Guri, biznesmeni pranë LSI-së Muharrem Berisha, si dhe Iris Zajmi, Elena Gace, Jori Prifti dhe Agron Xhafa. Në kallëzimin penal thuhet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike, ku në krye të kësaj skeme qëndron si zakonisht çifti Meta-Kryemadhi. Në kallëzim referohen kontrata të tjera lobimi në 2017 të padeklaruara, si dhe ngrihen dyshim për fshehje pasurie, përfshirë edhe godinën e LSI-së. Procedimi penale është regjistruar për fshehje pasurie, korrupsion dhe pastrim parash.
Discussion about this post