Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Prof. Asc. Ilir Alimehmeti, i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për ndërhyrje urgjente lidhur me skandalin e mbetjeve spitalore në QSUT. Përmes një deklarate për mediat, demokrati thotë se skandali i mbetjeve spitalore në QSUT është i papranueshëm dhe alarm madhor për jetën dhe shëndetin.
Ai thotë se dhjetëra tonelata mbetjesh të rrezikshme spitalore grumbullohen në ambientet e QSUT-së dhe nuk përpunohen dhe as nuk eliminohen prej të paktën dy muajve e gjysmë. Demokrati vijon duke thënë se këto mbetje përbëjnë rrezik madhor infeksioni dhe intoksikimi për mijëra pacientë, mijëra studentë dhe gjimnazistë, mijëra profesionistë të shëndetit dhe dhjetëra mijëra kalimtarë e banorë të zonës përreth QSUT-së.
“Zyrtarisht pranohet nga administrata se ka përfunduar kontrata me firmën që menaxhonte këtë shërbim”, u shpreh Alimehmeti.
Për këtë arsye ai i bën thirrje ministrisë të “mos fshihet pas gishtit dhe burokracive që kanë krijuar vetë”. “I bëj thirrje të bëjnë detyrën e tyre dhe jo të rendin pas parave dhe kontratave private! Shëndeti ynë nuk mund të jepet me koncesion”, përfundon Alimehmeti.
Fjala e plotë e Alimehmetit
Të nderuar qytetarë! Skandali i mbetjeve spitalore në QSUT, i denoncuar dje nga gazetarët e guximshëm të emisionit STOP, është i papranueshëm dhe alarm madhor për jetën dhe shëndetin.
Është e papranueshme që dhjetëra tonelata mbetjesh të rrezikshme spitalore grumbullohen në ambientet e QSUT-së dhe nuk përpunohen dhe as nuk eliminohen prej të paktën dy muajve e gjysëm.
Është e papranueshme që këto mbetje të rrezikshme spitalore të mbeten aty si rrezik madhor infeksioni dhe intoksikimi për mijëra pacientë, mijëra studentë dhe gjimnazistë, mijëra profesionistë të shëndetit dhe dhjetëra mijëra kalimtarë e banorë të zonës përreth QSUT-së.
Është e papranueshme që jo vetëm nuk eliminohen në kohë, por që në mënyrën më tallëse dhe abuzuese me shëndetin, mbetjet spitalore të shkojnë e të depozitohen brenda Spitalit të
Onkologjisë dhe të Spitalit të Neurologjisë në QSUT!
Spitalet i kemi për t’u shëruar miqtë e mi, jo për t’u sëmurë!
Kush është arsyeja e kësaj katastrofe shëndetësore dhe mjedisore?
Zyrtarisht pranohet nga administrata se ka përfunduar kontrata me firmën që menaxhonte këtë shërbim.
Por kujdes miq! Një milion e gjysëm euro para publike janë paguar në vitin 2017 nga Banka Botërore dhe shteti shqiptar për pajisjen e autoklavës.
Por, për motive banale përfitimesh të kombinuara me burokracinë e krijuar nga ky shtet dhe kjo administratë, edhe pse pajisjet janë blerë me para publike, nevojitej medoemos, sipas autoriteteve, që të kontraktohej një firmë private.
Nuk i kishte mundësitë pra shteti shqiptar të punësonte një numër të vogël personeli që ta zgjidhte problemin që në rrënjë!
Por jo, ndiqet këtu po i njëjti skenar që kemi parë me koncesionin e sterilizimit apo koncesionin e inceneratorëve dhe në fund shërbimi përsëri mungon… në kurriz të jetës dhe shëndetit tonë.
Kjo duhet të marrë fund menjëherë miqtë e mi!
I bëj thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mjedisit të ndërhyjnë menjëherë! I bëj thirrje të mos fshihen pas gishtit dhe burokracive që kanë krijuar vetë!
I bëj thirrje të bëjnë detyrën e tyre dhe jo të rendin pas parave dhe kontratave private! Shëndeti ynë nuk mund të jepet me koncesion!