Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama e ka cilësuar si skandal të rradhës veprimin e kryeministrit Edi Rama për të mbledhur para për të paguar gjobën e dy shqiptarëve të Zvicrës të vendosur nga FIFA.
Me anë të një statusi në Facebook, Rama shkruan se kryeministrit nuk i intereson pse Bibioteka Kombëtare përbytet pasi për t’u shitur si patriot i madh, gjithë merakun e ka se si të mbledhe para, për të paguar gjobën e FIFA-s ndaj dy futbollistëve shqiptarë të përfaqësueses së Zvicrës, Xhakës e Shaqirit.
Postimi i plotë
Skandali i rradhës:
Në Tiranë përmbytet Biblioteka Kombëtare, Kryeministri kërkon para për t’u paguar gjobën futbollistëve të Zvicrës!
Nga Luan Rama
Eshtë përmbytur Biblioteka Kombëtarë! Sepse, idiotët që po shkatërrojnë Tiranën, të yshtur sa prej injorancës e po aq edhe prej makutërisë e babëzisë, duke prishur bulevardin e trotuaret, kanë shkatërruar edhe kanalizimet, e uji i shirave të ditëve të fundit, vërshoi në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, duke përmbytur e shkatërruar mijëra e mijëra libra!
Për të kuptuar dëmin e pariparueshëm, më lejoni t’ju kujtoj se shkrimtari i madh Jorge Luis Borges, ka thënë: “E kam imagjinuar gjithnjë parajsën si një lloj biblioteke”.
Mirëpo, Kryeministrit tonë, nuk i intereson fare se ç’ndodh me Bibliotekën Kombëtare! Ai e ka hallin gjetiu!
Për t’u shitur si patriot i madh, gjithë merakun e ka se si të mbledhe para, për të paguar gjobën e FIFA-s ndaj dy futbollistëve shqiptarë të përfaqësueses së Zvicrës, Xhakës e Shaqirit, që i festuan golat e tyre ndaj kombëtares së Serbisë duke berë shenjën e shqiponjës!
Natyrisht, me lojën, golat dhe fitoren ata na bënë të gjithëve krenarë, po Kryeministri ynë ç’punë ka që fut hundet atje ku nuk i takon?!
Mbi ç’bazë ligjore, me çfarë tagri e me çfarë statusi Kryeministri e merr një nismë të tillë?!
Xhaka e Shaqiri nuk kanë nevojë për paratë që mendon të mbledhë në mënyrë të kundërligjshme Kryeministri i Shqipërisë. Jo thjeshtë se aq para sa është gjoba që iu ka vënë FIFA e ndoshta edhe më shumë, ata i fitojnē vetëm në një ditë, por Kryeministri me nismën e vet, i fyen rëndë edhe ata!
Ndaj, unë jam i bindur që si Xhaka, edhe Shaqiri do t’i refuzojnë paratë që mund të mbledhë Kryeministri. Sepse, në këtë rast, ai po tallet me Xhaken e Shaqirin, e madje, edhe duke abuzuar me emrin dhe imazhin e tyre, pasi po mblidhen para për ta e në emër të tyre, përveçse në kundërshtim me ligjin shqiptar, por, edhe në kundërshtim me kontratat e futbollistëve dhe ligjet e rregullat e vetë FIFA-s!
Në Bibliotekën Kombëtare, i kanë ndehur e shpërndarë librat gjithë andej që të thahen në diell!
Por, mos prisni që Kryeministri të shqetësohet për librat dhe bibliotekën! Jo, ai po mbledh para për t’u ardhur në ndihmē Xhakës dhe Shaqirit!
Pa librat e biblioteka, spitalet dhe të sēmuret, femijët e shkollat, rrugët dhe cilësia e jetës së qytetarëve, kanë kohë dhe le të presin!…