Qeveria mbyll veprimtarinë e kolegjit universitar ‘Wisdom’ në Tiranë pas skandalit me shitjen e diplomave dhe çertifikata false për të rinjtë italianë kundrejt çmimit 7000-10.000 euro për diplomë.
Vendimi u mor sot në mbledhjen e këshillit të ministrave.
Institucionet e arsimit të lartë pranojnë deri në datën 20 nëntor 2024 aplikimet për transferimin e studentëve të kolegjit universitar “Wisdom”, për vitin akademik 2024-2025, në programe të njëjta apo të ngjashme studimi, kur plotësojnë kriteret ligjore.
V E N D O S I:
1. Mbylljen e veprimtarisë së kolegjit universitar “Wisdom”, i cili e ka ushtruar veprimtarinë në qytetin e Tiranës.
2. Kolegji universitar “Wisdom” ka këto detyrime:
a) Të mbyllë të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë akademike dhe kërkimore-shkencore, për vitin akademik 2023-2024, deri në përfundimin e tij, në të gjitha programet e studimit të ofruara;
b) Të përgatisë dosjen për çdo student që nuk ka përfunduar programin përkatës të studimit, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë, që plotëson kriteret ligjore për transferimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
c) Të kthejë pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj studentit;
ç) Të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e tij akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, në përputhje me kuadrin ligjor për arkivat, brenda 2 (dy) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
d) Të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave, të parashikuara në këtë vendim.
dh) Të vendosë në dispozicion personel akademik dhe administrativ të nevojshëm deri në përfundimin e procesit për mbylljen e tij, sipas afateve të përcaktuara në këtë vendim.
3. Vula e kolegjit universitar “Wisdom” asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.
4. Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e kolegjit universitar “Wisdom”, në zbatim të këtij vendimi, përballohen nga ana e institucionit jopublik të arsimit të lartë/personit juridik që e përfaqëson.
5. Institucionet e arsimit të lartë pranojnë deri në datën 20.11.2024 aplikimet për transferimin e studentëve të kolegjit universitar “Wisdom”, për vitin akademik 2024-2025, në programe të njëjta apo të ngjashme studimi, kur plotësojnë kriteret ligjore.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe kolegji universitar “Wisdom”/personi juridik “Wisdom”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Lajmi ne perditesim…