Edhe pse kanë kaluar pothuajse dy vjet nga humbja e Ergit, i cili u përplas për vdekje nga një automjet në Tiranë, familja Malka nga qyteti i Korcës kërkon drejtësi për humbjen e të voglit të tyre.
Situatën e familjes e rëndon edhe vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, të cilët e kanë shpallur fajtor 5-vjecarin, për shkelje te rregullave të qarkullimit rrugor.
Kadri Malka, gjyshi i të miturit, endet në zyrat e shtetit, policisë, prokurorisë dhe gjykatave për të kërkuar të drejtën e nipit të ndjerë Ergi Malka, ë vdiq në tetor 2017 në Rrugën e Qelqit në Kombinat.
Në një intervistë për gazetaren e Fax News Ledjona Xheladinaj gjyshi i viktimës tregon dhimbjen që vuan e gjithë familja e tyre, dhe kalvarin me drejtësinë.
“Ditën që ka ndodhur aksidenti djali më tha: babi nuk e dua jetën, se Ergin e ka shtypur makina. Kur e pashë djalin, kishte veshin e këputur dhe dëmtime në kokë, i bëra dhe fotografi, po e fshiva se më tha gruaja se nuk ishte mirë që ta mbaja. Shkova te vendi ku kishte ndodhur aksidenti, në stacionin e fundit në kombinat, fëmija kishte dashur që të kalonte në krahun tjetër të rrugës askush se kishte parë momentin e aksidentit”, shprehet Malka.
Gjyshi i Ergit, ish-polic në profesion, thotë se drejtuesi i mjetit ka qenë në gjendje të dehur, dhe nuk i është bërë testi i alkoolit pas aksidentit.
Sipas tij testi i alkoolit i është bërë me 2 orë vonesë, dhe janë manipuluar provat nga oficeri i policisë gjyqësore. “Nuk di as çfarë të shpreh, pse duhet që të manipulohen provat? Ka gafa të rënda në të gjitha të dhënat, ka 3 orare të ndryshme sa i takon aksidentit. Thuhet që shpejtësia e mjetit ka qenë 18.4 kilometra në orë, thuhet që nga kqyrja e kufomës nuk ka marrë dëmtime. Pse duhet që ti bëhet presion babait të fëmijës? Ku nuk kam rendur! Kur drejtuesi i mjetit paska konsumuar alkool dhe qenka kaq i rregullt, le të hiqet nga ligji ndalimi i alkoolit në drejtimin e mjetit”, thotë më tej Malka.
Shpëtim Dogjani drejtuesi i mjetit që ka shkaktuar aksidentin është mbajtur vetëm 4 muaj në paraburgim, dhe më pas është lënë i lirë. I mbetur i pashpresë te drejtësia, Kadri Malka thotë se shteti po e çon drejt vetëgjyqësisë.
(E.K/FAXWEB.AL)