Dializa është një trajtim i detyruar për ata që vuajnë nga sëmundja renale kronike e stadit të pestë. Pacienti mund të ketë nevojë të trajtohet 3 herë në javë, por ka edhe raste të komplikuara kur shërbimi merret 5 herë në javë.
Në këto raste, shpjegojnë mjekët, veshka e ka humbur totalisht funksionin e nxjerrjes jashtë të ujit apo të lëndëve të metabolizmit. Nëse nuk ndodh ky proces, pacienti rrezikon të vdesë brenda pak ditësh, pasi fillimisht kalon në koma.
Gjatë dializës, funksionet e veshkës zëvëndësohen nga një aparat, që filtron gjakun dhe e rikthen atë në trup, përmes një tubi që futet në enët e gjakut.
Sëmundja renale kronike është një fatkeqësi për qindra vetë. Por për njerëzit e tenderave dhe konçensioneve në Ministrinë e Shëndetësisë është kthyer në një shans për fitim, një minierë e vërtetë ari, për të bërë para përmes konçensioneve, ku qarkullohen miliona dollarë.
Sa më shumë shtohen të sëmurët me veshka, aq më aq më shumë shtohet nevoja për hemodializën, më shumë para qarkullojnë nga buxheti, më të mëdha bëhen fitimet përmes korrupsionit.
Skandaleve për shërbimin e hemodializës, iu shtua ditët e fundit edhe rasti i Durrësit. Prokuroria ka nisur një hetim, pasi dyshon se klinika që u përzgjodh për shërbimin e dializës për të sëmurët në Durrës, nuk plotëson kushtet e përcaktuara me ligj.
Lapsi.al siguroi disa foto nga ambjentet e banesës në Durrës që u përshtat si një klinikë. Pamjet më poshtë janë marrë nga dosja e prokurorisë.
Nga verifikimet rezultoi se shërbimi nuk ishte qendër spitalore, nuk kishte staf për të trajtuar sëmundje interne, kardiologji dhe laboratori ishte inekzistent, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Prokurorët dyshojnë se pajisjet e kompanisë që fitoi tenderin nuk janë verifikuar, sipas parashikimeve të aneksit 1 të paketës së dializës, nuk është marrë pëlqimi i pacienteve që marrin këtë shërbim minimumi 3 herë në javë, si dhe nuk është administruar dokumentacioni përkatës.
Veç të tjerave, shërbimi iu dha një subjekti, i cili ishte refuzuar nga fondi i kujdesit shëndetësor në vitin 2015.
Lapsi.al ka zbuluar një letër të firmosur nga të sëmurët me veshka në Durrës. Bëhet fjalë për 70 persona që prej vitesh trajtohen me këtë shërbim. Në letër i kërkuan drejtuesve të fondit të mos e ndryshonin shërbimin nga spitali privat ku trajtoheshin, pasi tashmë mjekët kishin ndjekur prej vitesh ecurinë e sëmundjes tek secili prej pacientëve.
Letra e të sëmurëve iu drejtua kryeministrit Edi Rama, Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ish drejtorit të Fondit, Erion Manohasa. Të sëmurët refuzuan transferimin nga spitali privat ku merrnin shërbim prej 6 vitesh, por lutja e tyre ra në vesh të shurdhër.
“Refuzojmë trasferimin në një qendër që është vetëm 50 metra larg spitalit ku ne aktualisht marrim shërbimin, e cila është një qendër që ka vetëm dy javë që është hapur në një ambjent banimi dhe që nuk ka personelin e nevojshëm për këtë shërbim. Kjo qendër nuk mund të ofrojë sigurinë dhe besimin, të cilin ne tashmë e kemi fituar me shërbimin e hemodializës që aktualisht marrim”.
Me vendim gjykate, pak ditë më parë u shkarkua Erion Manohasa, Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Shkarkimi u bë për shkak të skandalit të transferimit të të sëmurëve në klinikën e re shëndetësore. Manohasa nuk e pranoi akuzën në prokurori. Kur u mor në pyetje, ai tha se inspektimin paraprak të klinikës e bënë vartësit e tij.
Ish drejtori nuk gënjeu. Lapsi.al zbuloi dëshminë e zëvëndëses së tij në FSDKSh, Alketa Hila, e cila mori përsipër inspektimin e ambjenteve ku do të dërgoheshin të sëmurët e Durrësit për dializën.
Në dëshminë e saj, Alketa Hila pranoi inspektimin e një ndërtese të dalë boje. Pranoi se në këtë klinikë, kishte edhe një laborator të qendrës shëndetësore, por nuk ka dokumentuar apo fotografuar asgjë nga inspektimi.
“Mbaj mend që kemi ardhur në qytetin e Durrësit dhe kemi shkuar në një rrugicë dytësore dhe ka qenë një ndërtesë dykatëshe me një lyerje boje të hershme, jo e kohëve të fundit. Ne kemi hyrë nga dera kryesore, ku në krahun e djathtë ka qenë e organizuar për personelin, ndërsa në krahun e majtë kanë qenë të vendosura disa karrige. Më pas në ambjentet e brendshme kishte një recepsion dhe kishte të vendosur pesë shtretër dialize me aparaturat përkatëse dhe tre shtretër me personat me hepatit dhe një shtrat për rastet urgjente. Përsa I përket kolaudimit të aparaturave të dializës unë nuk e di nëse kanë qenë të kolauduara nga shoqëria “M…l” dhe ne nuk e kemi kërkuar këtë informacion, pasi nuk parashikohet në Vendimin e Këshillit Administrativ. Për sa i përket laboratorit të kësaj qendre dua të sqaroj se kanë pasur laborator kimiko- biokimik e mikrobiologjik ku ai ka qenë i vendosur në katin e dytë të kësaj ndërtese. Unë fotografi të këtij laboratori nuk kam bërë, por sqaroj se pasja e këtij laboratori ka qenë objekt i inspektimit tonë pasi e parashikon edhe VGA. Ne nuk kemi administruar asnjë dokument tek qendra shëndetësore që të pasqyronte gjendjen teknike të pajisjeve, apo të aparaturave që ndodheshin në laborator. Në rastin konkret ne kemi bërë verifikimet për qendër shëndetësore dhe pasi ne kemi përfunduar inspektimin si atë të dokumentave dhe në terren ne kemi përpiluar raportin e datës 10:02:2017 ku kemi referuar plotësimin e kritereve nga shoqëria “Dia Pharma” dhe lidhjen e kontratës me të”.
Dyshimet e prokurorisë janë se klinika nuk kishte laborator të domosdoshëm në këto raste. Dyshohet se grupi i personave që bënë inspektimin ka gënjyer për këtë.
Por ajo që habit në këtë histori është këmbëngulja e qeverisë për të mbajtur në detyrë të njëjtët njerëz që u përfshinë në skandal. Pas largimit të Erion Manohasës me vendim gjykate, në postin e Drejtorit të Fondit është emëruar pikërisht zëvëndësja e tij, Alketa Hila. Njeriu mbi të cilin rëndon drejtpërdrejta akuza për hetimet e prokurorisë.
Burime nga prokuroria thanë për Lapsi.al se dyshimet janë se konçensioni i dializës është dhënë nën procedura korruptive.
Në njërën anë kompania private shkurtoi shpenzimet për blerjen e laboratorit, në anën tjetër zyrtarët që i hapën rrugë konçensionit mbyllën njërin sy, pa menduar për fatkeqësinë e pacientëve që vuajnë nga sëmundja renale kronike.(Lapsi.al)
PJESE NGA DOSJA E PROKURORISE
Rezulton se kallëzuesi ‘’A……” ka lidhur nje kontrate për ofrimin e shërbimit te dializës me FSDKSH-ja me afat 3-muajor deri ne datë 31.03.2017 nderkohe nga Erion Manahasa me cilësine e Drejtorit te Përgjithshëm të FSDKSH-Tiranë është lidhur kontrata me datë 15.02.2017 me ‘’D…Ph…’’ me afat 9-mujor nga data 01.03.2017 deri ne datë 31.12.2017.
Ne rastin konkret konstatohet se ky shërbim i është dhene nje insitucioni i cili nuk plotësonte kriteret ligjore, nuk ishte qëndër spitalore , nuk kishte staf për të trajtuar semundje intrene, kardiologji, laboratori ishte inekzistent, pajisjet e tij nuk janë verifikuar sipas parashikimeve të aneksit 1 të paktesës së dializës, nuk është marrë pëlqimi i pacienteve që marrin kete shërbim minimumi 3-here ne jave me qëllim transferimin e tyre si dhe nuk është administruar dokumentacioni përkatës për me tepër i është dhene ky shërbim nje subjekti bashkepunues ‘’D….S…’’ ku ndaj tij po vete ky institucion ne vitin 2015 ka refuzuar që ta jepte te drejten të ofronte këtë shërbim.
Në këto kushte shtetasi Erion Manahasa nëpërmjet veprimeve te tij ka konsumuar elementet e veprës penale te ‘’Shpërdorimi i detyres’’ të parashikuar nga neni 248 i K.Penal pasi ai ka lidhur ne kundërshtim me ligjin kontraten per ofrimin e shërbimit te hemodializës me nje qëndër mjekesore ndërkohe që referuar legjislacionit ne fuqi ky shërbim duhet te ofrohet nga nje qëndër spitalore me qëllim ruajtjen e shëndetit te shtetasve te cilët marrin shërbimin e hemodializës dhe ne keto kushte ndaj tij Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës është caktuar masa e sigurimit personal ndaluese e ‘’Pezullimi i ushtrimit te detyres a shërbimit publik’ e parashikuar nga neni 242 të K.Pr.Penale./ Lapsi.al
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1683″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]