”Besueshmëria e sondazhit të RTV ORA NEWS-it duket se është tronditur nga hije të shumta dyshimi dhe komprometimi. Sondazhi i parë i këtij televizioni i organizuar nga kompania italiane IPR Marketing rezulton të jetë një mashtrim i madh për publikun shqiptar dhe i influencuar drejtpërdrejtë nga Partia Demokratike.”, kështu ka shkruar sot gazeta ”Express’.
Sipas saj ky sondazh përcaktoi përmes telefonatave që ju bënë shqiptarëve, se cila do të ishte partia e parë fituese më 25 qershor, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku çuditërisht, Partia Demokratike pati një rritje të befasishme duke dalë forcë e dytë, që duket disi artificiale për situatën ku ndodhet aktualisht kjo forcë politike.
‘‘Ora News”, televizioni ku u publikua sondazhi në fjalë, i pyetur nga ”Shuplaka” reagon duke thënë se këto akuza nuk qëndrojnë dhe se nuk kanë lidhje fare. Megjithatë sot në emisionin e Ilva Tares, do vijë vetë Antonio Noto me avion për të sqaruar rezultatet e programuara. Noto, drejtori italian i ”IPR Marketing” mes të tjerash do t’i përgjigjet edhe pyetjet se cilët janë numrat që janë përdorur për të telefonuar.
Sipas ”Express” një nga numrat celular që është përdorur për të telefonuar qytetarët, është numri 068 80 900 20. ”Express” mësoi se ky numër së bashku edhe me 30 numra të tjerë figurojnë te regjistruar në kompanitë celulare me emrin “Këshilli Kombëtar i PD”.
”Të organizuar në formën e CALL Centerit, numrat në fjalë janë përdorur për të telefonuar qytetarët shqiptarë dhe për t’i pyetur se për cilën parti ata do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Telefonatat dhe numrat që i kanë marrë ata konfirmohen nga qytetarët, por rezultati që i është shitur publikut duket se është shumë larg së vërtetës, dhe tërësisht i manipuluar përsa kohë që numrat e sondazhit figurojnë të regjistruar në pronësi partiake. Ky fakt përbën një skandal të madh dhe një mashtrim i paprecedentë për opinionin publik.”, vazhdon të shkruajë më tej ”Express”. (V.G/SHUPLAKA)
Discussion about this post