Kompania Alko Impex e Arbër Abazi, nipi i deputetit socialist Sadri Abazi, u skualifikua për 1 deri në 3 vjet nga procedurat e prokurimit publik për dorëzim të dokumenteve me përmbajtje të rreme.
Ky fakt është bërë i ditur në vendimin e Agjensisë së Prokurimeve Publike.
Në këtë vendim përfshihen ndër të tjera dhe arsyet si: veprime korruptive, dënime për vepra penale, mospërmbushje të detyrimeve penale.
Vendimi i APP-së erdhi pasi Bashkia Elbasan e shpalli fituese kompaninë e Abazit , por ishte Drejtoria e tatimeve e cila verifikoi dokumentat e paraqitura nga kompania për pjesmarrje në tender me objekt “Pastrimin dhe gjelbërimin e qytetit Elbasan”.
Pas konstatimit të skandalit ishte Bashkia Elbasan dhe institucioni tatimor , të cilët i kërkuan Universitetit të Prishtinës të verifikonte diplomën e dorëzuar nga kompania për personin Bekim Selmani.
Sipas përgjigjes të Universitetit të Prishtinës vërtetohet se kompania ka dorëzuar diplomë të falsifikuar për personin në fjalë.
Përdorimi i dokumenteve të rreme u denoncua nga exit.al më herët.
Pas vërtetimit të dokumentave të rreme, Bashkia Elbasan ka hapur çështje penale ndaj kompanisë.
Ndërsa kjo e fundit ka paraqitur kërkesën për tërheqje nga tenderi pavarësisht se Komisioni i Prokurimeve Publike e kishte shpallur fituese.
Veç tenderit të cilën aktualisht në Elbasan e ka firma e Fat Kucit, ka pasur kontestime edhe nga kompania tjetër “Viktoria Invest” , e cila është shprehur edhe në rrjetet sociale, se Kompania Alko Impex ka fituar edhe dy tendera rrugësh në Elbasan.
Bëhet fjalë për rrugën nga Posta Elbasan deri pranë bashkisë së qytetit dhe nga Teatri Skampa deri pranë filialit të “Alfa Bank”. Pavarësisht se në disa distanca të shkurtra këto dy rrugë i kaluan afatet kohore, çka aso kohe bëri kryetarin e bashkisë Elbasan të refuzonte shlyerjen, madje e paralajmëroi me sanksione.
Po të njëjtat rrugë u diskutuan aso kohe për cilësi të ulët punimi, ccka e detyroi firmën e Abazi të hidhte një shtresë të dytë që të merrte fondin shpërblyes.
Veç kësaj burimet bëjnë me dije se në fitimin e tenderave në punët publike nipi i deputetit socialist Sadri Abazi , ka zotëruar mbështetjen e plotë të deputetit Socialist Taulant Balla, i cili ka lobuar fort që ai të fitonte.
Nga ana tjetër miqësia mes Arbër Abazit dhe Taulant Ballës është më e ngushtë, pasi mësohet se Z. Balla është nuni i djalit të Abazit.
Nga ana tjetër në lidhje me shkeljen e Kompanisë Alko Impex , bashkia e Elbasanit e konfirmon, por preferon të mos bëjë publickasnjë qëndrim, duke qenë se Abazi ka një miqësi me deputetin Balla dhe ndikimin dhe miqësinë që ky i fundit ka me kreun e bashkisë Qazim Sejdini.
Duke qenë se kompania lidhte tendera kryesisht me bashkitë e majta, ka zëra që ka lidhur 4 kontrata me bashkinë e Librazhdit, ku influenca e Taulant Ballës dihet që është e lartë.
Kompania, të paktën në dy tendera, të Bashkisë Tiranë me objekt “pastrimin e Tiranës, Zona III” të zhvilluara në vitin 2014 dhe në vitin 2017 ka përdorur dokumenta të falsifikuara, si rrjedhojë tenderat e fituara prej saj janë të paligjshme.
Kompania “Alko Impex Construction” ka marrë rreth 10, 8 milionë euro tender nga 7 bashki të majta, nga viti 2014 deri më 2017.
Tenderat e fituara prej tij janë kryesisht me objekt pastrimin dhe gjelbërimin e qytetit.
Ndër to 6 kontrata i ka fituar vetëm nga Bashkia Tiranë, prej së cilës vetëm në periudhën 2016, 2017 ka marrë 2 tendera për pastrimin e Tiranës Zona III me vlerë përkatësisht 4,9 milionë euro dhe 4,1 milionë euro.
Përveç kësaj, vetëm pak ditë më parë kjo kompani ka paraqitur ofertë, me të njëjtat dokumenta për tenderin e hapur nga Bashkia Kamëz për pastrimin e qytetit.
(F.G/Faxweb.al)