Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar lidhur me skandalin e transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku denoncoheshin produktet e bylmetit me vaj palme.
Nga analizat e kryera ka rezultuar se shumica e markave të gjalpit që tregtohen në Shqipëri kanë në përmbajtje vaj palme, edhe pse në etiketat e produkteve reklamohet se përbërja e tyre është me yndyrë qumështi natyral.
Në deklaratën për mediat, AKU bën me dije se bazuar në shqetësimin e ngritur, me urdhër të drejtorit të AKU-t, Dritan Sejko, “është kërkuar në mënyrë të menjëhershme, marrja e mostrave në subjektet të cilat prodhojnë dhe përpunojnë produkte me bazë qumështi (gjalpë, djathë kaçkavall, salcë kosi), të cilat do të analizohen në Institutin e Sigurisë Ushqimore Veterinare (ISUV) për përmbajtje të vajit të palmës”.
Reagimi i plotë i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, bazuar në shqetësimin e ngritur nga emisioni investigativ televiziv, mbi praninë e vajit të Palmës në produkte bulmeti, ku në etiketat e produkteve të mara si mostra, nuk është e deklaruar përmbajtja e yndyrës bimore (vaj palme), bën me dije se :
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Z. Dritan Sejko është kërkuar në mënyrë të menjëhershme, marrja e mostrave në subjektet të cilat prodhojnë dhe përpunojnë produkte me bazë qumështi (gjalpë, djathë kaçkavall, salcë kosi), të cilat do të analizohen në Institutin e Sigurisë Ushqimore Veterinare (ISUV) për përmbajtje të vajit të palmës.
Ndaj operatorëve të biznesit ushqimor produktet e të cilave do të rezultojnë të përziera me vaj palme dhe të padeklaruar në etiketë, do të merren masa konform legjislacionit ne fuqi.
Për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbetet i hapur dhe bashkëpunues me konsumatorët për të gjitha shqetësimet, denoncimet e konsumatorëve, si dhe të gjitha rastet e denoncuara në media, apo pranë portalit online “Inspektori Digital”.
(XH.A/SHUPLAKA)