Këshilli bashkiak në Gjirokastër ka zhvilluar sot mbledhjen e rradhës ku në fokus ka qenë miratimi i projekt-vendimeve për vetëqeverisjen vendore.
Tre pikat më të rëndësishme që u trajtuan gjatë kësaj mbledhjeje ishin dhënia e fondit të kushtëzuar prej 6 % për periudhën 1 deri 30 prill 2019 për qytetarët që trajtohen me ndihmë ekonomike, dhënia e pagesës së aftësisë së kufizuar për periudhën 1 -30 prill, si dhe dhënia e informacioneve për ndërtimin e HEC-eve në lumin e Kardhiqit.
Aktualisht në terren është duke u punuar në 8 HEC-e në këtë zone, por çudia qëndron se Bashkia Gjirokastër nuk ka dhënë leje përkatëse, dhe pretendon se nuk ka asnjë informacion në lidhje me këto punime.
Ndërkohë këshilltarët kërkuan të ngrihet një grup i cili do të shkojë në terren për të parë ecurinë e punimeve dhe kallëzimin në prokurori të firmës që kryen punime.
HEC-i që dështoi të ndërtohej në fshatin Kolonjë, pritet të lartësohet në zonën e Kardhiqit. Kjo është mësuar rastësisht sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, nga ana e këshilltarëve demokratë.
Ka qenë Eri Shehaj këshilltari i PD, ai i cili vuri alarmin për shkatërrimin e paralajmëruar të burimeve në zonën e Kardhiqit ku përfshin fshatin Kaparjel dhe fshatrat përreth. Këshilltari Shehaj duket se hapi një debat shumë të madh në Këshillin Bashkiak ku u përfshinë këshilltarët e të gjitha forcave politike ku më aktiv, kanë qenë këshilltarët e djathtë.
Kryetari i PD për Gjirokastrën Dasho Aliko, ka kërkuar nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës, denoncim në prokurori të firmës ndërtuese të hidrocentralit i cili do të hedhë në erë burimet e pakta ujore që ka zona në fjalë. Ndërkohë që përfaqësuesi i Bashkisë në mbledhje Ilir Cumaku, ka garantuar se Bashkia nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtimin e veprës hidrike në zonën e Kardhiqit dhe ndërtimet kanë qenë të pa monitoruara nga INUV ç’ka bie përgjegjësi ligjore mbi të.
Mësohet se deri më tani faza e ndërtimit të HEC në Kardhiq, nuk ka marrë miratimin e lejes nga Bashkia, ndërkohë që punimet kanë filluar ç’ka përbën skandalin e radhës së papërgjegjshmërisë së institucioneve monitoruese qëndrore. Aludohet se investitori i HEC-it, është njeri i afërt i ish ministrit Arben Ahmetaj i cili gëzon një post të rëndësishëm drejtues në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave edhe pas ikjes së Ahmetajt nga posti ministror, i njëjti që dështoi me ndërtimin e HEC-it në Kolonjë.
Nëse në rastin e anulimit të HEC në Kolonjë erdhi si pasojë e sensibilizimit të komunitetit, ndërsa në rastin e HEC në Kardhiq, banorët e zonës kanë qenë të painformuar. Nuk dihet nëse për këtë rast ka dijeni kandidati i PS për kryetar Bashkie të Gjirokastrës Flamur Golemi i cili garantoi banorët e zonave rurale se asnjë HEC nuk do të ndërtohet në territorin e Bashkisë së Gjirokastrës.
(F.GJ/FAXWEB.AL)