Ministria e Arsimit dhe Sportit ka dalë me një reagim zyrtar ditën e sotme lidhur me skandalet që janë evidentuar në institucionet e arsimit parauniversitar.
Ky reagim i Ministrisë vjen pas disa pamjeve që janë transmetuar në emisionet investigative në mediat shqiptare, ku mësuesi i kërkonte favore seksuale një nxënësje.
Ministria thotë se janë duke u marrë të gjitha masat si ndryshimin i pjesëtarëve kryesorë të stafit të institucionit arsimor, dhënien e ndihmës psiko-sociale, ndërsa ndjekim nga afër çdo zhvillim në lidhje me hetimet e organeve kompetente.
Reagimi i plotë.
MASR – REAGIM
Të gjithë personat e dyshuar si të përfshirë për abuzime ndaj nxënësve në rastin e një shkolle në Fier janë shkarkuar apo janë duke u ndjekur edhe penalisht.
Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ka marrë masa të tjera të menjëhershme si ndryshimin i pjesëtarëve kryesorë të stafit të institucionit arsimor, dhënien e ndihmës psiko-sociale, ndërsa ndjekim nga afër çdo zhvillim në lidhje me hetimet e organeve kompetente.
Parandalimi është kyç, prandaj rregullorja e re e arsimit parauniversitar parashikon dënimet më të larta për ata që nuk punojnë në të mirën e nxënësve, abuzojnë apo përdorin çfarëdo lloj forme të dhunës në shkollë. Masat janë marrë edhe pse jemi ende në gjendjen e dyshimeve dhe jo përfundimeve finale, që tregon seriozitetin me të cilin MASR dhe institucionet e varësisë marrin në raste të tilla.
Natyrisht, masat e ndërmarra nuk janë trumbetuar në media për shkak se qëllimi ynë nuk është të bëjmë dëm duke ekspozuar ata që ndihen të dëmtuar.
Gjë, të cilën po e bëjnë ata që nuk po rreshtin së shfrytëzuari në mënyrë makabre këtë rast për tërheqje vijueshmërie mediatike apo qërim hesapesh politike. Ky është abuzim në vete dhe si MASR kemi detyrimin të luftojmë edhe këtë formë të abuzimit në mbrojtje të nxënësve tanë.