Prej disa ditësh nga ana e opozitës po përflitet për nxjerrjen e skandalit të ri që do të implikojë persona të tjerë që janë pjesë e PS. Ndëkohë sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha replikoi në Parlament me Taulant Ballën për akuzën e pastrimit të parave.
Basha tha se “kjo është një furtunë në gotë, që Edi Rama të mos i përgjigjet akuzave të faktuara për Saimir Tahirin, për Habilajt, për Balilajt, për vëllain e Fatmir Xhafës, për llogaritë off shore, për të cilat e ka akuzuar OSBE me emër dhe mbiemër me vlerë 200 milionë euro.”
Kryetari Basha u shpreh po ashtu se “për të akuzuar PD-në Rama zgjodhi Ballën, që ka rënë në rrjetën e pastrimit të parave prej vitesh dhe që nuk e mbron as imuniteti parlamentar, as fjalimet e stisura. “Edi Rama bën mirë të pyesë Drejtorin e tij të Policisë se ç’ka bërë Balla një muaj më parë me një nga të akuzuarit zyrtarisht nga Prokuroria e Elbasanit në Rumani”, tha Kryetari Basha.
Ai sqaroi se “PD ka deklaruar në KQZ çdo shpenzim sipas ligjit.” Në përgjigje të Ballës se do ta kallëzonte të hënën në Prokurori, Kryetari Basha i tha “që të mos presë deri të hënën, por ta çojë që sot në prokurori, t’ia çojë edhe FBI-së në Ministrinë e Brendshme, sepse Partia Demokratike nuk ka asgjë për të fshehur.”
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se “njeriu që fsheh milionat, miliardat e zeza të parave të krimit është vetë Edi Rama. Është shenjë e dëshpërimit dhe panikut, që Rama fshihet pas një njeriu që duhet të ishte dhe me siguri është nën hetim për pastrim parash.”
(E.K/Faxweb)