Mjekët dhe zyrtarë të spitalit Onkologjik, të dyshuar për korrupsion e kontrabandë me medikamentet mjekësore do të dalin të mërkurën para Gjykatës së Posaçme për tu njohur me masat e sigurisë. Po ashtu SPAK ka kërkuar informacion nga bankat dhe hipotekat për pasuritë dhe astetet e mjekëve në kuadër të hetimit pasuror.
Mjeku Edmond Gashi, kolegia e tij Alketa Pere, farmacisti Florian Marku, zv.drejtoresha e QSUT-së Brikena Qirjazi, koordinatori i Spitalit Onkologjik Emiljano Lela, Halil Gashi administrator i klinikës së të birit mjekut onkolog dhe Drilona Kishta ish-specialiste e QSUT-së, do të hetohen për korrupsion, shpërdorim të detyrës dhe kontrabandë ilaçesh.
Prokurori Elvin Gokaj i cili po ndjek hetimet ka dorëzuar kërkesat në Gjykatën e Posaçme për vlerësimin e masave të sigurisë ndaj të akuzuarve që do të pasonte hetime më të thelluara.
Prokuroria e Tiranës zbuloi më 26 qershor abuzimet brenda spitalit Onkologjik, ku pacientët liheshin pa shërbim falas në shtet në mënyrë që të orientoheshin drejt privatit, konkretisht në klinikën “Megis” në Astir, të onkologut Edmond Gashi, aktualisht në masë arresti në shtëpi.
Koordinatori Lela dyshohet se gjente në spital të sëmurët dhe duke i paraqitur një situatë të zymtë se te Onkologjiku do prisnin gjatë, i çonte te klinika e Gashit. Për secilin merrte përqindjen e tij. Mjekja Pere akuzohet se ka asistuar në ndërhyrjen e një të moshuare në klinikën “Megis”, edhe pse nuk ishte e deklaruar në privat.
Brikena Qirjazi, akuzohet se nuk ka vënë në punë aparaturën me kobalt për trajtimin e tumorit. Ndërsa Florian Marku dyshohet se kishte në farmacinë e tij ilaçe me kod të dëmtuar që mund të jenë nxjerrë nga spitali Onkologjik për tu shitur në vlera nga 500-1500 euro.