GJKKO ka zëvendësuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për mjekun Edmond Gashi, duke e lehtësuar më tej. Kirurgu është liruar me garanci pasurore 20 milionë lekë të vjetra, si edhe i është bllokuar pasaporta, për të mos u larguar jashtë vendit. Masa u zëvendësua me “detyrim paraqitjeje”.
Kjo masë ka ndryshuar të premten, por u njoftua vetëm ditën e sotme (11 Nëntor). Prokuroria e Posaçme nuk ishte dakord me kërkesën e mbrojtjes, duke kërkuar vijimin e masës, teksa pas vendimit të GJKKO do të ushtrojë ankim në Apelin e Posaçëm Edmond Gashi akuzohet se drejtonte pacientët me kancer nga spital shtetëror QSUT tek klinika e tij private “Megis”. Nën hetim dhe akuzë me masa të ndryshme janë edhe 7 mjekë dhe një biznesmen.
Skandali doli në pah gjatë muajit Shtator të këtij viti pas hetimeve disamujore të Prokurorisë së Tiranës dhe më pas SPAK-ut, teksa dosja kaloi për kompetencë dhe u urdhëruan arrestimet. Në fillim të Tetorit, GJKKO dha masat për të gjithë të dyshuarit, kurse hetimet po vijojnë.