Është shtyrë nga Gjykata Penale e Tiranës. ditën e sotme seanca gjyqësore për çështje Babale.
Sipas informacioneve procesi gjyqësor i radhës do të mbahet në datë 11 qershor.
Arsyeja e shtyrjes së seancës ka qenë pasi tre të akuzuarit nuk janë njoftuar për seancën e 30 majit, ashtu siç e parashikon ligji. Oficerët e policisë gjyqësore i kishin njoftuar me celularë të pandehurit Ervin Salianji dhe Jetmir Olldashi dhe jo me fletëthirrje.
Në këtë seancë ishte parashikuar që Gjyqtari Artan Gjermeni të vendoste nëse do të pranonte kërkesën për gjykim të shkurtuar të Fredi Alizotit, i cili dyshohet se ka imituar zërin e Agron Xhafajt në audio përgjimet e publikuara nga Partia Demokratike.
Kujtojmë që pjesë e këtij procesi gjykimi janë Ervin Salianji ish-deputet i Partisë Demokratike, Fredi Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi të cilët akuzohen për kallëzim të rremë lidhur me dosjen ‘Babale’.
E ndërkohë vetë Albert Veliu ose i njohur ndryshe si ‘Babalja’ aktualisht ndodhet në Belgjikë, ku ka përfituar edhe azil politik.