I ftuar në intervistën e Fax News, ish-ministri i Bujqësisë, zoti Edmond Panariti foli rreth skemës së re të subvencionit për fermerët.
Panariti u shpreh se në vitin 2024, bujqësia për herë të parë pas 27 vitesh, kaloi në recesion.
“Për herë të parë pas 27 vitesh, bujqësia ka kaluar në recesion. Bujqësia nuk po kontribuon as në ekonominë familjare e as në atë të vendit. Një traumë e jashtëzakonshmie. Janë disa shkaqe: mungesa e financimit, buxheti për bujqësinë është 10% më i vogël se vitin e kaluar; mungesa e fondeve IPARD. Të gjitha fondet kanë përfunduar nëpër resorte; bujqësia te ne ngarkohet me TVSh-në më të lartë në rajon dhe Europë. Aktualisht, prodhimet bujqësore bazë tatohen me 20% TVSh, ndërsa në Itali me 4%. Kemi çmimin më të lartë të litrit të qumështit në Europë”, tha Panariti.
Pyetjes se përse administrata duhet të përfitojë 7 milionë euro nga buxheti që do t’u shpërndahet fermerëve, Panariti u përgjigj:
“Sepse do punësohen militantë të partisë. Kjo është shumë e frikshme. Për një vend si Shqipëria, 7 milionë euro janë shumë para. Duke penalizuar fermerët, fryhet administrata”.
I pyetur nga Albi Rakip se cila është situata aktuale në Partinë e Lirisë, Panariti u përgjigj:
“Jemi në një proces ristrukturimi. Paralelisht po ecim dhe me prioritetet tona për zhvillimin ekonomik të vendit. Njerëzit duhet të dinë vizionin tonë dhe çfarë synojmë të arrijmë, cilat janë mekanizmat e propozuara nga ne. Përveç zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë, prioritet tjetër i joni është arsimi. Po ashtu dhe pensionistët, të cilët ndodhen në mjerim. Jemi në përpjekje që brenda një dekade, numri i popullsisë në Shqipëri të shkojë në 4 milionë. Njerëzit janë të tejngopur nga debatet, prandaj ne kemi objektivat tanë konkret. Jemi të sigurtë që do të sjellim kthesën e dëshiruar”.