Nga Anila Basha
Gjëja e parë që të vjen ndërmend kur shikon thirrjet e pafundme të Edi Ramës në “facebook” për të denoncuar njerëz dhe fenomene të administratës shtetërore në këto katër vite, është pikërisht FLETËRRUFEJA.
Po kur u “shpik” fletërrufeja si një mënyrë denoncimi të qeverisjejes? Eshtë e thjeshtë: Po të hysh në motorrin e kërkimit “google” dhe të shkruash fjalënfletërrufe, të del edhe përmbledhja dhe përdorimi i saj për herë të parë.
Ishte 6 shkurti i vitit 1967 kur diktatori Enver Hoxha mbajti fjalimin me titull “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, një fjalim që u fiksua si fjalimi i 6 shkurtit pasi në atë mbledhje për herë të parë “lideri” iu drejtua masave punonjëse për të marrë kritikat e tyre për drejtuesit e në përgjithësi intelektualët.
Unë nuk mund të marr me mend nëse Edi Rama sot i është kthyer leximit të veprave të Enverit, apo mos rastësisht I ka rënë në dorë (sikurse dhe mua) një shkrim i Ardian Vehbiut në “Peizazhe të fjalës” pak vite më parë, për të parë sesa afër (dhe aspak larg) ngjajnë dy veprimet: ajo që Enveri proklamoi në 6 shkurt 1967 dhe që u kthye metodë pune për diktaturën e tij të 1968-ës, apo kësaj që përditë e më shumë me dëgjesat publike është duke kryer lideri i 74 deputetëve, Edi Rama.
Për rikujtesë dhe të cituar nga artikulli i publikuar nga Vehbiu po citojmë “shokun Enver”: “Cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha të shkruajë çfarë mendon ai për punën dhe për njerëzit!”
…dhe porosia e Enverit, më pas ishte e afishuar në cdo rrugë, lagje, qëndër pune apo shkolle, fshat apo qytet, zona të banuara apo të pabanuara, pra gjithkund ku ekzistonte gjë e gjallë. E pas kësaj, sipas logjikës së 67-ës, u shpallën fletërrufetë (meqë në atë kohë nuk ekzistonte as interneti dhe as facebook).
Dhe sipas Vehbiut, që analizon fenomenin, e rëndësishme është sesi Enveri u drejtohej masave, për popullin dhe në emër të popullit, për të shpallur armiqtë e rinj të klasës që atij aq shumë i duheshin.
Nuk do të merrja kurrë guximin të bëja këtë lloj analogjie mes ENVERIT dhe EDIT, nëse nuk do të shihja sesi ngjasojnë si dy pika uji direktivat e dhëna prej tyre.
Padyshim, populli, mund të kthehet edhe kundër meje, për të më futur në atë që e konsideroj si “botën e piranjave” dhe të më syrgjynosin me komentet negative, vulgare, perverse, për të treguar se unë jam në anën e taksidarëve pasi dhe unë kam përfituar nga pushteti. Kjo nuk është gjë e re, s’ka ndodhur sot për herë të parë e nuk do të ndodhë as nesër.
Ajo që më shqetëson dhe që duhet të na shqetësojë të gjithëve është: A duhet të degjenerojmë në çdo lloj forme, me shkronja të mëdha, sikurse kërkonte Enveri plot gjysëm shekulli më parë (fiks 50 vjet) gjithkënd që përbaltet nga inatçijtë, hakmarrësit, të padrejtët, cmirëzinjtë, shpirtëzinjtë ndoshta dhe hallexhinj që duan të ndosin gjithçka dhe gjithkënd?
Enveri u kërkonte të shkruanin pa frikë për PUNËN dhe për NJERËZIT. Edi Rama po u kërkon të gjithëve të flasin dhe të denoncojnë pa frikë për PUNËN dhe për NJERËZIT.
Por ka një dallim të madh: në këtë kohë e gjatë qeverisjes Rama 1, kryeministri ka pasur gjithë mekanizmat në dorë, shtetërore ose jo, për të hetuar, investiguar, denoncuar çdo rast e çdo fenomen korrupsioni në administratën e tij.
Skema enveriste e Edi Ramës me mentalitet populist shkon përtej filozofisë dhe aksionit të veprimeve konkrete. Ndokush e mendon këtë një gjetje sepse “ky lloj populli që kemi, ka nevojë për një lloj diktature për tu tërhequr nga paligjshmëria”.
Ndoshta kryeministri duke përdorur aleancën e tij me popullin kërkon të shmangë dhe furtunën e re parlamentare opozitare që mund të zgjohet në kuvendin e ri që do të krijohet në shtator. Aleanca me popullin dhe në emër të tij, do ta detyrojë kryeministrin që të zbresë më shumë në bazë e të dëgjojë hallexhinjtë, sesa të rrijë me orë të tëra në parlament që të dëgjojë sherrxhinjtë e gjobaxhinjtë…
Por, a është kjo ajo që na duhet në katër vitet e ardhshme? Unë kam dyshimet e mia, sikurse shumëkush prej jush. Jam e paqartë në këtë moment nëse duhet të dëgjojmë çdo lloj njeriu me shkollë e pa shkollë siç thotë Rama, apo të ulet kryeministri i 74 mandateve në parlament e të dëgjojë opozitën…
Çfarëdo të ndodhë, asgjë nuk e ndryshon tashmë fjalimin ME SHKRONJA TË MËDHA…