Sergio Ramos ka konfirmuar largimin nga Real Madridi pas 16 viteve qëndrim në Santiago Bernabeu.
Mbrojtësi spanjoll nuk gjeti gjuhë të përbashkët për rinovimin e kontratës dhe do të largohet si futbollist i lirë pas 30 qershorit nga Los Blancos.
Tani që mbrojtësi qendror është futbollist i lirë, shumë skuadra të mëdha janë vënë në ndjekje të tij.
Paris Saint Germain, Manchester City, Chelsea, Manchester United apo Bayern Munich janë skuadrat që po kërkojnë transferimin e tij.
Së fundmi në garë është futur edhe gjiganti italian Milan për t’i fituar shërbimet e lojtarit, por duket se dëshira e tyre për ta parë Ramosin me fanellën kuqezi nuk mund të realizohet.
E gjitha ka të bëjë me aspektin financiar dhe kërkesat e mëdha që ka ish-kapiteni i Los Blancos.
Ka qenë Paolo Maldini që ka kontaktuar personalisht me Ramosin dhe mbrojtësi spanjoll e ka pëlqyer idenë për të luajtur te Milani, duke i treguar edhe kushtet financiare që ka.