Kryesia e Partisë Demokratike miratoi dje listën përfundimtare të kandidatëve për kryetar të Partisë Demokratike. Në mbledhjen e kryesisë dje mungoi kryedemokrati Basha, i cili u largua nga selia menjëherë sapo mbërritën në seli anëtarët e Kryesisë, duke e konsideruar konflikt interesi.
Në sekretarinë e Komisionit Zgjedhor kishin mbërritur 9 kandidatura, por 4 prej tyre u skualifikuan automatikisht, pasi nuk përmbushnin një nga kriteret: të jesh anëtar i PD-së.
Debate pati për kandidatin Ibsen Elezi. Ky i fundit u atakua nga demokratët si një person që vazhdimisht ka sulmuar PD-në dhe ka qenë pjesë e fushatave denigruese ndaj PD-së. Në fund mbetën vetëm kandidatët Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi dhe Agron Shehaj, që u regjistrua ditën e fundit. Edhe për këta kandidatë ka pasur kundërshtime të ndryshme.
Ndërkohë, sipas burimeve të gazetës “Panorama.al”, nga Kryesia e PD-së debate ka pasur edhe për axhendën e fushatës. Kryesia e PD-së ka qenë kundër idesë së hedhur nga Fatbardh Kadilli që fushata të ishte e njëjtë për të gjithë. Pra, të 4 kandidatët të bënin debat përballë anëtarëve në 12 qarqet dhe në 3 prej tyre të ketë edhe praninë e mediave.
Ajo që bie në sy më së shumti është sulmi që i bëjnë disa prej anëtarëve të Kryesisë Agron Shehajt, për të cilin thonë se është një person që i pëlqen lavdia në televizion. Kjo deklaratë është bërë nga Jorida Tabaku, një prej deputeve që është promovuar më së shumti nga Lulzim Basha, i cili e kandidoi të dytën në listën e Tiranës.
Të njëjtin mendim me Tabakun, sa i takon figurës së Shehaj e mban dhe Kreshnik Çollaku, ndërsa një prej anëtareve të Kryesisë që ka kërkuar që të të mbahet në garë Shehaj por edhe Harxhi është Albana Vokshi.
DEBATI I PLOTË NË KRYESI
Gazment Bardhi: Do të nisim diskutimet në parim apo do të flasim për kandidatët? Në listë, 4 prej kandidatëve nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike, kështu që janë automatikisht të skualifikuar nga Gara
Enkelejd Alibeaj: Por ne nuk duhet që të jemi përjashtues. Mbase ata janë simpatizantë të Partisë Demokratike dhe kanë idealet e tyre.
Gazment Bardhi: Janë kontrolluar dhe nuk janë as anëtarë te lista aktive dhe tek ajo joaktive. Nuk janë simpatizantë. Le ta hedhim në votim (4 kandidatët skualifikohen me votë unanime)
DISKUTIMI MBI KANDIDATURAT E TJERA
Kreshnik Çollaku: Unë mendoj se duhet të jetë në garë Basha, Kadilli dhe Harxhi. Nuk mendoj se ka vend për persona të cilët mendojnë më shumë për promovimin e tyre politik. Nuk mund t’i japim zë një njeriu për marketing politik. Duhet që të ketë platformë, duhet të ketë ide. Ibseni ka dashur gjithmonë të shkatërrojë PD-në, duke e sulmuar nga matanë gardhit.
Enno Bozdo: Unë nuk jam dakord që në garë të jetë Edit Harxhi, sepse nuk ka ndonjë kontribut të veçantë në garë.
Albana Vokshi: Përse të mos jetë Agroni dhe Editi? Ne jemi Partia Demokratike dhe jemi të hapur. Nuk duhet që të krijojmë armiq kot.
Gazment Bardhi: Ok, atëherë do të mbajmë vetëm këtë short: listën me 4 kandidatët.
Florion Mima: Kjo mbase është mbledhja e fundit që unë marr pjesë. Nuk kam asnjë interes. Por unë mendoj që në garë të jenë që të 4 kandidatët e le të fitojë ai që ka më shumë mbështetje nga anëtarësia.
Jorida Tabaku: Parimisht jam dakord që të jetë lista me 4 kandidatët. Por ne nuk mund të vendosim kandidatë njerëz që kanë momentet e lavdisë në TV. Cilësia e kësaj gare do të tregojë cilësinë e partisë nesër dhe ne duhet te sigurohemi që ka gjithëpërfshirje.
Dhurata Çupi: Edhe unë mendoj se duhet t’i përfshijmë të 4 në garë. Nëse në mesin e tyre ka pasur njerëz që kanë hedhur gurë ndaj PD-së, ne duhet t’u tregojmë të kundërtën. Ndaj, mendoj se duhet të jenë të 4 në garë. Duhet të jemi parimorë.
Jemin Gjana: Nëse bazohemi në historikun e garës në Partinë Demokratike, atëherë mund të them se në garën e PD-së ka pasur kryesisht nga dy kandidatë. Madje ka pasur raste edhe me 1, por ne nuk do ta bëjmë si historia e Maqo Lakrorit.
Enkelejd Alibeaj: Për mua 3 kandidatura janë ok. Editi edhe pse s’ka bërë shumë për Partinë Demokratike, mendoj se në Këshillin Kombëtar nuk ka qenë penguese, ka votuar. Nuk mendoj se duhet ta përjashtojmë.
Grida Duma: Kjo kryesi ka detyrë jo të gjykojë sjelljet e askujt, por të shqyrtojë kriteret dhe një seriozitet të staturës së kandidatëve. Çka do të thotë, statura e tyre duhet të ketë një minimum të figurës publike kombëtare, veç kritereve konkrete të tjera.