Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në facebook, në lidhje me komentet e bëra për shkrimin e tij të ditës së djeshme mbi koncertin e këgëtarit serb Goran Bregoviç, në Korçë. Rama në reagimin e ditës së djeshme tha se shqiptarët nuk duhet të silen si ekstremistët serb që shajnë këngëtaren Dua Lipa, vetëm se është shqiptare.
Në postimin e ditës së sotme Rama sqaron se ideja e tij nuk ishte të vendoste shenjën e barazisë mes dy artistëve, por të tregonte që ata që shajnë pavarësisht gjuhës janë njësoj.
Postimi i plotë i kryeministrit:
NJË KOMENT PËR KOMENTET E KINSE PATRIOTËVE
Ashtu siç bënë Bregoviçin kriminel serb pa asnjë fakt, tani sokëllijnë që unë paskam barazuar Dua Lipën me të! Dhe histeria vazhdon por jo, unë nuk kam barazuar hiçfare Dua Lipën me Goran Bregoviçin, po kam thënë me një shembull të vërtetën e hidhur se të barabartë, njësoj krejt janë ata që shajnë e mallkojnë, në serbisht a në shqip, artistët e sportistët me emër të palës tjetër! Histeri fashiste që as nuk e mbron, as e nderon, po vetëm e turpëron shqiptarinë, e cila s’mund të jetë kurrë shembëlltyrë e urrejtjes!