Gazetarja e njohur Sonila Meço, e krahason situatën politike në vend me një ndeshje futbolli, ku arbitrin e bëjnë ndërkombëtarët.
Sipas saj, këta të fundit (ndërkombëtarët), kanë toleruar nuancat e sjelljes autoritative të udhëheqësve tanë në emër të stabilitetit Megjithatë për Meçon, kjo nuk është zgjidhja e duhur në demokraci.
“Vatrat e shumfishta ia kanë bërë të vështirë ndjekjen e njëkohshme të stabilitetit dhe demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Teknokratët europianë përpilojnë raportet politike, por nuk arrijnë të shohin ‘pyllin pas pemëve’. Dallojnë punën e institucioneve të veçanta, por jo panoramën e plotë harmonike të secilit vend.
Ndaj të konsumuar në këto kohë sfiduese i kanë dhënë më shumë rëndësi stabilitetit në rajon, duke toleruar nuancat e sjelljes autoritative të udhëheqësve të tyre.
Dhe sot liderët ballkanikë janë këta që shohim, të skenave politike të acaruara, të pakënaqësisë së shtuar, të vendimeve të njëanshme, të kapjes së shtetit.”, shkruan gazetarja.
KOMENTI I PLOTË
“Nuk ngjan më çudi ndarja e ‘fushës’ në dy skuadra të vendosura për fitoren:
Ekipi i Vettingut vs Ekipi i Zgjedhjeve të Lira
Ndërsa ‘arbitri’ vijon të shahet me ‘libër shtëpie’ nga njëra anë e fushës, venerohet nga tjetra.
E gjitha kjo, sepse vetë ‘arbitri’ është në hutim të plotë nga mesazhet kakofonike në kufje.
‘Arbitri’, faktori ndërkombëtar, kryesisht ai me qendër vendimarrjeje ne Bruksel, po merret prej kohësh me problematikën e thellë të krizës ekonomike në Europë, menaxhimin e situatës së mprehtë të emigracionit dhe negociatat për Brexit (duke përllogaritur edhe situatat e brendshme prej zgjedhjeve të afërta në Gjermani e Francë).
Vatrat e shumfishta ia kanë bërë të vështirë ndjekjen e njëkohshme të stabilitetit dhe demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Teknokratët europianë përpilojnë raportet politike, por nuk arrijnë të shohin ‘pyllin pas pemëve’. Dallojnë punën e institucioneve të veçanta, por jo panoramën e plotë harmonike të secilit vend.
Ndaj të konsumuar në këto kohë sfiduese i kanë dhënë më shumë rëndësi stabilitetit në rajon, duke toleruar nuancat e sjelljes autoritative të udhëheqësve të tyre.
Dhe sot liderët ballkanikë janë këta që shohim, të skenave politike të acaruara, të pakënaqësisë së shtuar, të vendimeve të njëanshme, të kapjes së shtetit.
Sikur ‘arbitri’ të kish mundësinë mos konsumohej në vatrat e shumfishta të mesazheve që i mbërrijnë në kufje, duke mos sakrifikuar rekordet demokratike për pak më shumë stabilitet, tashmë nuk do kishim as këtë ndeshje të padenjë mes Ekipit të Vettingut dhe atij të Zgjedhjeve të Lira, ku numri i tifozëve i bën karshillëk një ndeshjeje që nuk duhej të ekzistonte.
Demokracia i do të gjitha dhe asnjë gram prej saj nuk mund të justifikohet për një stabilitet që sot ka mbushur stadiumin e marrëzisë sonë me sharjet për një ‘arbitër’ që e lejoi një ndeshje në disavantazh të demokracisë, vetëm që të legjitimojë siglën e vet europiane edhe pse në një kampionat farsë lokal.” (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post