Gazetarja e njohur Sonila Meço, ka reaguar pas deklaratës së zv.ndihmësit të sekretarit amerikan Hoyt Brian Yee, se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të arrijnë mesataren ekonomike të Bashkimit Evropian as për 30 vjet.
Meço shprehet se lidhur me këtë nuk ka asgjë të habitshme, pasi kjo ishte diçka e ditur.
“Deri këtu s’kemi patur asnjë dyshim se nuk do t’i afroheshim Brukselit as me TAP-in e as me kaskadën e Devollit. Po as vetë kryeministri nuk shprehu këtë ambicje në intervistën për France 24, ku na sheh të varfër si gjithë rajoni, por që gjithsesi nuk po vdesim për bukën e gojës.”, shkruan Meço.
Mirëpo sipas saj, e habitshme është ajo çfarë vijon në deklaratën e Yee-së, se SHBA nuk e mbyll njërin sy ndaj politikanëve të korruptuar në Ballkan, porse për zgjedhjen e tyre përgjegjësinë e kanë qytetarët.
“Çfarë habit është vijimi i deklaratës së Yee se SHBA nuk e mbyll njërin sy ndaj politikanëve të korruptuar në Ballkan, porse për zgjedhjen e tyre përgjegjësinë e kanë qytetarët?
Cilët qytetarë?
Ata që nuk zgjedhin emra, kontribute por logo e ngjyra partish?
Ata që nuk kanë asnjë kontribut në zgjedhjen e kandidatëve për udhëheqës qeverish e shteti me sistemin që politika vetë ka ndërtuar?”, reagon Meço.
Në një intervistë për javoren beogradase “ se Nin”, Yee u shpreh “Prioritet numër një duhet të jetë përparimi ekonomik. Shumica e vendeve të rajonit kanë rritje vjetore prej 3 ose 4%, por edhe me këtë rritje ose edhe me 6% nuk do të arrijnë mesataren e BE-së në tri dekadat e ardhshme”.
Ai gjithashtu shtoi se SHBA nuk e mbyll njërin sy ndaj politikanëve të korruptuar në Ballkan, porse për zgjedhjen e tyre përgjegjës janë qytetarët
Ndërkohë sipas tij, SHBA ka dëshmuar se dëshiron që vendet e Ballkanit të bëhen më të qëndrueshme, më të zhvilluara dhe më të sigurta.
REAGIMI I MEÇOS
Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee as për 30 vjet nuk e sheh ekonominë e Ballkanit Perëndimor në nivelin e vendeve të BE-së edhe sikur rritja ekonomike të shkojë 6% (gjë që nuk ka guxuar ta pohojë asnjë politikan gjatë fushatës, nga ata që premtuan, sigurisht). Deri këtu s’kemi patur asnjë dyshim se nuk do t’i afroheshim Brukselit as me TAP-in e as me kaskadën e Devollit. Po as vetë kryeministri nuk shprehu këtë ambicje në intervistën për France 24, ku na sheh të varfër si gjithë rajoni, por që gjithsesi nuk po vdesim për bukën e gojës.
Çfarë habit është vijimi i deklaratës së Yee se SHBA nuk e mbyll njërin sy ndaj politikanëve të korruptuar në Ballkan, porse për zgjedhjen e tyre përgjegjësinë e kanë qytetarët?
Cilët qytetarë?
Ata që nuk zgjedhin emra, kontribute por logo e ngjyra partish?
Ata që nuk kanë asnjë kontribut në zgjedhjen e kandidatëve për udhëheqës qeverish e shteti me sistemin që politika vetë ka ndërtuar?
Ata që votojnë edhe pse për 30 vjet do mbeten të varfër me një sistem që votën ua çon dëm nëse synojnë të zgjedhin lider të rinj, kandidatë të pavarur a parti të reja? Ata që nuk thirren një herë në referendum?
Ata që nuk marrin pjesë dot në një konkurs të ndershëm punësimi në administratë?
Ata që shesin votën për të ngrënë një muaj?
Ata që i çojnë në protestë me premtimin e ndryshimit e mandej i lënë rrugëve se marrëveshjet politike janë mbi vullnetin e sovranit?
Ata që nuk dinë ç’hanë, perime a hormone?
Ata që i ka braktisur media, shoqëria civile, vetja?
Ata që votojnë rotacionin për të mbajtur sistemin që i shfrytëzon?
Ata që nuk kanë asnjë kontrroll mbi institucione?
Ata, të përjashtuarit e mëdhenj?
E pra demokraci quhet e jona, e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Amerikës. Por tek ne edhe demokracia që eksportuan qe si ajo e fabrikave që prodhojnë enkas produkte marke, por me cilësinë për botën e tretë. (D.D/Shuplaka)