Ndërkohë që deklarata e ambasadores Yuri Kim bëri bujë ditën e sotme, ka reaguar edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i cili shkruan se shqiptarët meritojnë futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Soreca nuk ka komentuar deklaratat e Kim si dhe përgjigjet e Ramës dhe Bashës, por që me komentin e tij ju kujton palëve plotësimin e 15 kushteve që kërkon BE.
Ai thotë se zbatimi in reformës në drejtësi duhet të vazhdojë dhe të ruhet ndërsa pohon se nuk është koha për të rihapur diskutime për të rritur efikasitetin e tij dhe forcimin e burimeve që disponon.
“Zbatimi i reformës vazhdon dhe duhet të ruhet. Kjo nuk është koha për të rihapur diskutimin mbi bazat e saj, por për të rritur efikasitetin e tij dhe forcimin e burimeve që disponon. Për të dhënë drejtësi të pavarur të përditshme që qytetarët shqiptarë meritojnë dhe për të sjellë përpara Shqipërinë në rrugën e saj të pranimit në BE. #BE për Shqipërinë”, shkruan Soreca.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Yuri Kim me anë të një statusi në “Twitter” shkruan se uron që mos ketë marrëveshje mes palëve për sabotim të reformës në drejtësi. Ambasadorja nënvizon se reforma është e dhimbshme, por duhet të vazhdojë përpara.
Postimi i ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim: “Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë.”
Kryetari i PD-së Lulzim Basha i është përgjigjur ambasadores së SHBA ku shkruan se ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që bëhen në lidhje me reformën në drejtësi, iu shërbejnë atyre që duan ta devijojnë dhe minojnë këtë reformë.
Kujtojmë se pasditen e sotme edhe kryeministri Rama reagoi për deklaratën e Kim me një frazë të William Shakespeare “Ferri është bosh dhe gjithë djajtë janë këtu”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)