Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen njoftoi të enjten se ka zhvilluar biseda të ndara me kryenegociatorët e të dy vendeve, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç. “Kam folur ndaras me dy kryenegociatorët, të Kosovës Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç. I vlerësoj bisedat e mira dhe i mirëpres ftesat e tyre për të vizituar Kosovën dhe Serbinë”, shkroi Sorensen në X.
Kjo është hera e parë që Sorensen bisedon me palët që prej marrjes së mandatit në fillim të këtij muaji. Politikani nga Danimarka, Peter Sorensen u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas për të zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë post.
Në krye me Lajçakun në këtë proces, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo që ende nuk ka gjetur zbatim.
Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim të marrëdhënieve që prej vitit 2011.