Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar 21 janarin ku 4 protestues mbetën të vrarë në bulevardin përpara Kryeministrisë.
11 vite nga ngjarja e rëndë, kryeministri me një mesazh mëngjesin e sotëm shkruan se “drejtësia do të vonojë por nuk harron”.
“Me bindjen që drejtësia vonon po nuk harron, si edhe ndjesinë më në fund pozitive nga shenjat e dallueshme të veprimit të drejtësisë së re, nderojmë sot katër protestuesit paqësorë të 21 janarit, vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi”, shkruan Edi Rama.
Protesta e 21 janarit 2011 u mbyll me katër viktima, tre të vrarë me armë zjarri në harkun e dhjetë minutave dhe një i plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak ditë më vonë.
Sot mbushen 11 vjet nga vrasja e 4 protestuesve të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 Janar të 2011-ës kur Partia Socialiste ishte në opozitë ndërsa PD-ja dhe LSI-ja qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha, ndërkohë Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm.
Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë viktimat e 21 janarit. Familjarët e tyre akoma sot presin drejtësi. Vitin e kaluar Policia e Tiranës përmes një kërkese i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës për rihapjen e dosjes “21 Janari”. Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet për njërin prej të vrarëve në bulevard, Aleks Nikën, në 2020.