Aktorja e madhe, e cila ka shkëlqyer në të gjitha rolet e saj, do të mbushte plot 91 vjeç, nëse do të ishte gjallë.
Violeta Manushi lindi më 6 mars 1926 në Korçë dhe ndërroi jetë rreth 10 vite më parë, më 27 korrik 2007. Gjatë jetës së saj në skenë, ajo shkëlqeu njësoj qoftë në komedi, qoftë në zhanrin e dramës.
Gjithçka nisi për të në moshën 20-vjeçare, kur ajo u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit Kombëtar. E vlerësuar për natyrshmërinë, spontanitetin dhe vërtetësinë, ajo vijoi rrugën e artit duke numëruar mbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema.
Ajo shkëlqeu në rolet protagoniste, duke u transformuar tërësisht në to. Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” , Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Ollgën te “Zonja nga qyteti”, teton te “Pallati 176”, etj. (XH.A/SHUPLAKA)