Janari pritej të ishte muaji ku ku do të kapeshin “peshqit e mëdhenj” në Shqipëri, kjo referuar një deklarate të ambasadorit amerikan Donald Lu, i investuar maksimalisht në procesin e reformës në drejtësi, i cili bëri paralajmërimin e bujshëm publik për arrestimin e peshqve të mëdhenj në fillim të vitit 2018.
“Çfarë presim? Presim që ky plan agresiv i Qeverisë së Shqipërisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm, dhe që ky sukses të vazhdojë në vitin 2018 me SPAK-un dhe BKH-në.
Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e presin këtë. Populli shqiptar e kërkon dhe e meriton këtë”, deklaronte Donald Lu më 7 nëntor në nisjen e fushatës kundër krimit të organizuar.
Kjo nuk ishte deklarata e vetme kur Lu kishte shkaktuar furtunë reagimesh, por deri diku edhe entuziazëm pasi ambasadori amerikan shfaqi siguri në atë që thoshte
“Nëse Amerika dhe vendet e BE-së do të vendosin burimet tona dhe besueshmërinë tonë në këtë luftë kundër krimit të organizuar, ne presim rezultate”, kishte thënë Lu.
I njohur si një nga ambasadorët më të drejtpërdrejtë, Lu më parë kishte folur pa dorashka kur ishte shpehur se Shqipëria sundohej nga 4 klane mafioze dhe 20 familje kriminale, dhe se nëse nuk arrestoheshin knabisi do të mbyste sërish Shqipërinë.
Të gjitha këto, por edhe zhurma mediatike që bëhej pas deklaratave të tilla kishin mbarsur opinionin publik për një lutë të pakompromis kundër krimit që do ti jepte fund dhe pandëshkueshmërisë.
Por ku jemi sot?
Muaji janar iku. Ndjekësit e vëmendshëm të zhvillimeve politike nuk do të habiteshin se pse e gjitha kjo përfundoi në një ushqim për gallatë në rrjetet sociale, pasi kur bëhet fjalë për politikanë të korruptuar apo njerëz të caktuar të botës së krimit, varka e drejtësisë shqiptare nuk ka motor për të tërhequr një rrjetë të tillë.
Lirimi i Orest Sotës i cili nga policia e Elbasanit u kap me 863 mijë euro në makinë që dyshoheshin se ishin të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Gjithashtu dhe lirimi i Durim Keçit, i akuzuar për trafik droge dhe shfrytëzim prostiticioni në Itali por edhe skandali i fundit me ekstradimin e Nezar Seitit drejt Italisë, i njohur si financier i Habilajve sigurisht që nuk janë zhvillime që priteshin ose më së paku do të ishin minore para atyre që parashikoheshin, për të mos folur për ngjarjet e rënda kriminale që kanë ndodhur këtë muaj ku janë rikthyer shpërthimet me tritol, më i rëndi rasti Ii Shkodrës ku mbetën 8 persona të plagosur, ngjarje ende pa autor.
Sot, disa muaj pas deklaratës së Donald Lu-së për kapjen e “peshqve të mëdhenj”, rezultati konkret ka munguar, por në një reagim pak më parë në faqen zyrtare të ambasadës amerikane ai thotë se pret rezultate në pranverë.
“Politikanëve, policëve dhe prokurorëve: ju u zotuat përpara popullit shqiptar dhe përpara nesh. Ne investuam në burimet për t’ju ndihmuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ku janë rezultatet? Populli shqiptar do që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Komuniteti ndërkombëtar kërkon rezultate konkrete përpara vendimeve të rëndësishme këtë pranverë. Tik-tak”, thuhej në reagim.
Ndërkohë që palët politike kanë mbetur në llogore: Opozita kërkon qeveri antimafia, ndërsa reformën në drejtësi e ka shpallur të “vdekur” me zgjedhjen në mënyrë të njëanshme të Prokurores Arta Marku. Qeveria nga na tjetër e konsideron veten si një ndër qeveritë më antimafia dhe hedh akuza se opozita kërkon të pengojë reformën në drejtësi, e thënë shkurt një luftë politike.
Ambasadori amerikan Donald Lu pak ditë më parë tha se palët duhet të punojnë pasi nuk ua kanë fajin të huajt. Duket se jemi rikthyer tek normaliteti jo normal i zhvillimeve politike në vendin tonë. Megjithatë tani duhet të presim pranverën nëse peshqit e mëdhenj do të arrestohen. (B.H/Faxweb)
Discussion about this post