”Sa do ndikojë presidenca e Donald Trump në zhvillimet në Shqipëri?”, ky është thelbi i analizës që sjellin Afrim Krasniqi, Alfred Lela dhe Roland Qafoku për ”Shuplaka”-n.
Sot zhvillohet në Washington ceremonia e inaugurimit të Trump-it, mirëpo për vendin tonë ka rëndësi më shumë se zakonisht, që pas kundërshtimit të Trump-it nga kryeministri ynë Edi Rama. Trump-i më pas u zgjodh nga votuesit amerikanë.
A do ndikojë ky tensionim marrëdhëniesh (Rama nuk ndodhet në Washington për ceremoninë) në politikën e brendshme shqiptare? Po te zgjedhjet e 18 qershorit? Dhe a do zëvendësohet ambasadori amerikan Donald Lu? Këto janë pyetjet shtruar për analistët të cilët flasin pa drojë për atë që mendojnë.
AFRIM KRASNIQI, ALFRED LELA DHE ROLAND QAFOKUT:
A mendoni se pas nisjes në detyrë të presidentit të ri amerikan Donald Trump do zëvendësohet ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu?
KRASNIQI: Nuk është çështje opinioni por procedure. Si rregull zëvendësohen vetëm stafet politike, ambasadorët politikë si dhe ambasadorët e vendeve strategjike. Rasti shqiptar nuk bën pjesë as në stafin politik dhe as në listën e vendeve strategjike.
LELA: Sa kohë që Ambasadori Lu nuk është një emërim politik, por një diplomat karriere i dalë nga radhët e Shërbimit të Jashtëm, nuk mendoj se kjo mund të ndodhë. Gjithashtu, nuk mendoj as se Donald Lu ka shkuar apo do të shkojë kundër interesave amerikane, dhe për këtë do të thirret me urgjencë në Uashington e të shkarkohet si pasojë e kësaj.
Shpesh, duke u bazuar te parabolat enveriste ‘në gojë të ujkut hedhim valle’, ‘shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut’, apo ‘mbrojmë të vetëm mësimet e marksisëm- leninizmës’, ne këtu në Shqipëri mendojmë se politika e madhe botërore lëviz me ritmin e orës së brendshme të bisedave të kafeneve të Tiranës. Nuk është kështu.
Nëse jeni duke e bërë pyetjen nisur nga premisat e konspiracionit ‘sorosian’, të cilin do ta zhbëjë Presidenti Trump, unë nuk kam një përgjigje për këtë. Ndër gjërat që nuk shoh, por ua ndjej praninë e frymës dhe idesë, unë besoj vetëm te Jezu Krishti, dhe asesi te George Soros!
Por një gjë dua t’ju kujtoj njerëzve: Soros nuk ka qenë kundër politikave amerikane, por përcjellës i tyre.
QAFOKU: Që nga Maxwell Black, i pari që në 1992 e deri te Donald Lu janë 16 ambasadorë dhe diplomatë që SHBA-të kanë dërguar në Shqipëri në këto 95 vjet. Të gjithë kanë historinë e tyre që natyrisht ka qenë e lidhur edhe me zhvillimet politike në SHBA dhe Shqipëri por sidomos me marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ne kemi ambasadorë që edhe janë larguar. Kemi ambasadorë që janë detyruar të largohen p.sh. pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939 si Hugh Grant. Por kemi edhe ambasadorë si Chris Hill që ka shënuar një gur kilometrik të rëndësishëm në atë 15 mars të vitit 1991 kur e rihapi këtë ambasadë.
Edhe ambasadori i 16-të Donald Lu në mënyrë të padiskutueshme ka historinë e tij dhe shenjën e tij në këtë historik. Unë besoj se Donald Lu do të largohet nga Shqipëria kur t’i përfundojë mandati dhe nuk ka vend për hamendësime, për më tepër që ai është diplomat karriere.
Pyetja e shtruar në median shqiptare e inicuar nga segmente të politikës, se Trump do ta largojë është qesharake. Nuk funksionion shteti amerikan si shumë raste shteti shqiptar sipas parimit “ta tregoj unë kur të vij në pushtet”.
Unë besoj se do jetë një zëvendësim normal pa asnjë arsye tjetër përveçse përfundimit të mandatit 3-vjeçar me një diplomat po aq me vlerë sa të gjithë paraardhësit.
SHBA funksionon mbi bazën e platformave të shkruara kohë më parë dhe një administrate stabël. Sipas të dhënave të deritanishme të publikuar në median amerikane, mendohet se nga 6 milionë punonjës të administratës në SHBA vetëm 4 mijë do të largohen. Mjafton këto shifra për të kuptuar shumë.
A do ketë presidenca Trump ndikim në politikën e brendshme shqiptare, nisur edhe nga fakti që kryeministri shqiptar ka qenë kundër zgjedhjes së tij?
KRASNIQI: Shqipëria nuk është vend prioritar dhe as vend me rol strategjik në gjeopolitikën amerikane. Nuk besoj se do ketë ndryshim në raportet dypalëshe, por klima e marrëdhënieve gjeopolitike, si p.sh, raportet SHBA – BE, raportet SHBA – Rusi me siguri do kenë reflektim edhe në Ballkan, sidomos në Kosovë dhe më pak në Shqipëri.
Gafa e kryeministrit tonë me komentin në fushatën elektorale amerikane mbahet shënim, por nuk është përcaktuese në marrëdhëniet dypalëshe. Shtetet veprojnë jo mbi bazë njohjesh personale, por mbi bazë interesash të përbashkëta dhe SHBA-të e Shqipëria kanë disa interesa që i bashkojnë, pavarësisht kush është kryeministër apo President.
LELA: Rama ka barë një gafë diplomatike kur ka dalë, me nota sançopançiste, kundër Trumpit. Kam qenë edhe unë kundër dhe kam votuar kundër tij, por unë jam një nënshtetas i lirë i të dy Republikave: amerikanes dhe shqiptares dhe nuk përfaqësoj interesat e Shqipërisë. Jam gazetar, komentator politik, lektor në universitet, pra nuk kam asnjë spaletë që më identifikon me ‘diplomatiken’ dhe ‘shtetëroren’.
Kufizimet m’i përcakton etika personale, familjare dhe profesionale. Rama kur flet, shprehet në emër të Republikës. Ai nuk është më publicisti i ‘Refleksioneve’, ‘Koha Jonë’ apo ‘Kurbanit’. Por, Kryeministri ynë, dritë i pastë shtatlartësia, rrëmbehet nga batuta e vet dhe shtysa e saj e ka hedhur tashmë, nga ujrat e ngrohta të Adriatikut në rrymat e acarta të Atlantikut.
Thonë shpesh se diplomacia dhe politika bazohen shumë mbi marrdhëniet personale. Këtë urë z. Rama e ka djegur tashmë.
QAFOKU: Në fakt deklarata e kryeministrit Rama se “mos e dhëntë Zoti se Trump zgjidhet president i SHBA” është e para e këtij lloji në historinë e shtetit shqiptar.
Që nga koha kur kemi dokumentin e parë të komunikimit mes shtetit tonë dhe SHBA që daton më 8 mars 1914 dhe i përket princ Wied-it me një letër që ai ia dërgonte presidentit Woodrow Wilson, nuk ka një rast të dytë që një përfaqësues i lartë i shtetit shqiptar të japë një mendim kundër zgjedhjes së dikujt president.
Besoj se kryeministri Rama ra viktimë e këshilltarëve vendas dhe të huaj që në një farë mënyre jo se kishin dyshime se Trump nuk do zgjidhej president, porse ishin të bindur që Trump nuk kishte asnjë shans për t’u zgjedhur president.
Nisur nga kjo siguri, Rama shkoi edhe më tej kur zgjodhi ekranin e CNN, i cili edhe vetë ky ekran nuk e besonte zgjedhjen e Trump-it, që të bënte këtë deklaratë që në çdo aspekt quhet gafë.
Por a do ketë ndikim Trump ndaj politikës së Tiranës dhe konkretisht ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama? Kjo është foshnjarake ta mendosh sepse SHBA-të funksionojnë mbi bazën e devizave të paracaktuara në raport me shtetet e tjera dhe jo sipas humoreve të individëve.
Të gjithë jemi të bindur se sjellja e Ramës ndaj SHBA-ve, institucioneve të këtij shteti, politikave të tij është korrekte dhe pozitive ashtu siç e ka për fat të mirë çdo politikan shqiptar aktualisht.
Kështu që unë nuk besoj se Ramës mund t’i vijë ndonjë e keqe nga SHBA-të. Rama duhet ta shikojë të keqen, nëse do ketë, vetëm në Shqipëri dhe nga problemet këtu si ekonomia, ekonomia dhe ekonomia.
Si do ndikojë te zgjedhjet tona të përgjithshme presidenca Trump?
KRASNIQI: Ka një histori shumë interesante në librin e E.Vlorës për Ismail Qemalin dhe Shqipërinë e vitit 1913. Disa fshatarë pyesin themeluesin e shtetit pas kthimit nga Londra se çfarë thoshte Evropa për ta dhe a kishte dëgjuar për trimërinë e tyre. I njëjti mentalitet është edhe sot, – ne gabimisht mendojmë se jemi qendër e botës dhe elitat politike në botë merren me ne. Është sëmundje e vendeve të vogla në/dhe krizë vlerash. E shohim në Tiranë, e shohim në Shkup, e shohim kudo në Ballkan.
Në fakt rotacioni në SHBA nuk ka asnjë ndikim direkt dhe as indirekt në zgjedhjet parlamentare të qershorit në Shqipëri. Palët politike me siguri do thonë të kundërtën, do spekulojnë dhe do lobojnë me miliona euro për ndonjë foto ose telegram protokollar, por historia na ofron aq shumë raste e përvoja sa gjithçka është alibi dhe mit province.
Zgjedhjet tona vendosen nga votuesit, nga aftësia e oferta e partive dhe nga raporti ynë me votën, jo nga kancelaritë e tjera apo gjeopolitika. Këto të fundit kanë rol në raste krizash dhe revolucionesh të mëdha, por Shqipëria e sotme, rajoni sot dhe Evropa sot nuk është në një situatë të tillë.
LELA: Dua të them një gjë: nuk ka fund gërdia, medemek kozmopolitane, e së majtës shqiptare dhe asaj botërore ndaj republikanëve amerikanë. E keni parë këtë të reflektohet edhe te ‘ora e vjedhur e Fushë Krujës’ dhe demonizimi i i vizitës së presidentit Bush atje.
Trump, edhe për shkak të atipikes së tij pompoze, e ushqen edhe më shumë këtë ‘neveri’.
Përtej kësaj, mund të them se imagjinarja e krijuar në opinionin publik shqiptar është kjo: Rama nuk e ka mirë me Trump dhe kjo do ta dëmtojë.
Se si do të refektohet kjo në zgjedhje nuk e di, por duhet të kujtojmë se njerëzit votojnë me emocione, dhe jo me logjikë. Imagjinarja e një Amerike kundër, në Shqipëri vazhdon të zgjojë një emocion të madh.
QAFOKU: SHBA ka qenë, është dhe do të jetë e vëmendshme në zhvillimet politike në Shqipëri. Është një traditë tashmë gati-gati në kufijtë e çuditshmërisë që ky shtet i madh dhe më i fuqishëm në botë ka patur tradicionalisht ndaj vendit tonë.
Vërtetë Shqipëria e shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912, por në vitin 1919, të dalë pas Luftës së Parë Botërore, ne nuk ishim shtet dhe nuk e kishim këtë pavarësi. Vetëm falë presidentit të 28-të të SHBA-ve Woodrow Wilson në konferencën e Paqes në Paris Shqipërisë iu konfimua kjo pavarësi.
Çfarë kishte ndodhur? Imagjinoni, në historinë e SHBA-ve, wilson, është i pari që dilte jashtë kufijve të SHBA-ve duke qenë në detyrë, nuk kishte shumë lidhje me pjesën tjetër të Botës dhe befas në konferencën e Paqes në Paris merr një vendim aq të rëndësishëm për të ardhmen e kombit shqiptar.
E ilustrova këtë shembull për të kuptuar interesin dhe vëmendjen e përhershme të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Kështu kur kjo vëmendje ndodhte afro 100 vjet më parë, nuk mund të tërhiqet tani pse SHBA ka një president të ri.
SHBA do të vazhdojë të ketë të nëjtin interes dhe afeksion ndaj nesh dhe kjo nënkupton zhvillimin në parametra normal të demokracisë, të lirisë dhe të Drejtave të Njeriut.
Një nga këto elementë janë zgjedhjet parlamentare më 18 qershor. Syri dhe mendja e SHBA ka për të qenë po aq e rëndësishme sa edhe në zgjedhjet e tjera. Mos të harrojmë se në fillim të viteve ‘90 Sali Berisha si president cilësohej si miku më i mirë i SHBA-ve në Ballkan. Ai është i pari personalitet shqiptar që u prit në Shtëpinë e Bardhë me ceremoni zyrtare.
Por në zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996, administrata e presidentit Clinton i dha goditjen më të madhe pushtetit të Berishës për shkak të parregullsive në zgjedhje. Kështu që për SHBA-të kanë shumë rëndësi cilësia e demokracisë dhe jo marrëdhëniet personale. /SHUPLAKA

Iku, apo nuk iku Lu-ja, pak rendesi ka… Nuk do jete vegel e PS dhe Sorosit, te beje shantazh dhe intimitoje opoziten.., kjo eshte pak, por e sigurte!