Kryeministri Edi Rama në një dalje sot njoftoi se në ditët në vijim pritet të ketë një lehtësim të masave shtrënguese, me një fashë orare që do të zgjatet, si dhe do të ketë lehtësira për të gjithë ata që janë në punë.
Rama tha se sot janë miratuar 9 mijë e 500 pagat e para të luftës dhe brenda 15 Prillit pritet që të nisë edhe paketa e dytë e ndihmës financiare.
“Sot janë miratuar 9.500 pagat e para të luftës për biznesin e vogël, janë paga lufte. Aplikimet bëhen online. Falenderojmë bizneset që i kanë marrë në konsideratë dhe i kanë mbyllur bizneset dhe jemi shumë mirënjohës për ato që kanë mbyllur bizneset që nuk kanë punë por mund ta mbajnë hapur dhe qëndron në dyqan vetëm pronari se s’ka njerëz. Rrobaqepësi, llambarinist, servise makinash, argjendari dhe shumë të tjera.
Janë kategori që do i fusim në paketë pas 15 prillit siç ju kam premtuar. Ndihmat ekonomike janë shpërndarë dhe janë dyfish i shumës së mëparshme. Ndihmat ushqimore janë shpërndarë për familjet që kanë veçori specifike.
Ata që janë në çadra do ndihmohen rregullisht nga ne. Sot jemi të gjithë në nevojë, edhe ne si qeveri. Kjo luftë vë në dyshim qëndrueshmërinë e shtëpisë sonë të përbashkët, por ne do ta përballojmë me besim në Atdheun tonë”, tha Rama ndër të tjera.
Një nga pikat që preku kreu i qeverisë ishte dhe ajo për kreditë, ku iu kërkoi të gjithë qytetarëve që ndeshen me shqetësime në banka, ti denoncojnë ato pranë portalit qeveritar shqipëria që duam.
E njëjta logjikë vlen edhe për problemet mes qeradhënësve dhe qeramarrësve, pas vendimit tq qeverisë për të shtyrë me dy muaj pagesat.
(E.K/Faxweb.al)