Është identifikuar personi që mbeti i vrarë këtë mesditë në zonën e ish-ekspozitës në Tiranë, ku u ekzekutua me 5 plumba Kudret Saliaj.
Dyshohet se autor është shtetasi Mexhit Picari, ish-vjehrri i viktimës dhe ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve familjare. Mesditën e sotme viktima kishte seancën e 5 të gjyqit të divorcit, ndërkohë që çështja në fjalë ishte duke u shqyrtuar nga gjyqtarja Irena Plaku.
I plagosur në këtë ngjarje të rëndë që ndodhi në një nga zonat më të popullura të kryeqytetit është dhe ish-prokurori Adriatik Cama, gjendja e të cilit është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e plumbit, që e kishte marrë në zonën e barkut.
Burime bejne me dije se kanë qenë të paktën 4 plumba që kanë përshkruar trupin e Saliajt, i cili mbeti i vdekur në vend, në një prej kafeve në afërsi të gjykatës. Menjëherë pas ngjarjes autori ka arritur që të largohet prej aty me një mjet Hyndai, ndërkohë që Policia thotë se po kreh zonën në mënyrë që të bëjë të mundur kapjen e tij.
Sa i takon prokurorit Cama mësohet se ai është prekur nga një plumb rikoshet, pa pasoja për jetën, ndërkohë që nuk dihet ende nëse ai ka qenë avokati i viktimës në këtë proces divorci. Cama ka qenë prokuror i çështjeve të bujshme si ajo e 21 Janarit, dhe doli jashtë sistemit pas procesit të Vetingut, më pas ai u angazhua si avokat.
Të gjitha detajet e deritanishme flasin se ai nuk ka lidhje me konfliktin e sotëm dhe plagosja ka qenë e rastvsishme.
Në minutat e para pas ngjarjes, policia shoqëroi një të mitur, i cili dyshohet se është i afërm i viktimës, dhe nuk ka lidhje me autorësinë e vrasjes, në ndryshim nga sa u tha fillimisht.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 11:50, në bulevardin “Gjergj Fishta” dyshohet se shtetasi M. P. ka vrarë me armë zjarri shtetasin K. S. ( ish-bashkëshortin e vajzës) dhe si pasojë e të shtënave është plagosur dhe shtetasi A. C., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për kapjen e autorit të dyshuar, shtetasi M. P.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes
(E.K/Faxweb.al)