Pasditja do jetë një ditë shumë e ngarkuar në PD. Më tepër se mbledhja e Këshillit Kombëtar, që pritet të ratifikojë vendimin e Grupit Parlamentar për dorëzimin e mandateve, vlen një tjetër zhvillim. Pas Këshillit Kombëtar, kandidatët e PD poshtë vijës fituese, do të paraqiten në seli për të shprehur vullnetin e tyre me shkrim, ku heqin dorë nga mandati i deputetit. Një pjesë e mirë janë anëtarë të forumit më të lartë drejtues, dhe ky duket momenti më i përshtatshëm.
Me marrjen e deklaratave të të gjithë kandidatëve, PD çon deri në fund aktin e djegies së mandateve. Bëhet fakt i kryer. Dhe kjo mbyllet sonte, pikërisht një ditë para të Enjtes kur është seanca dhe kur do të bëhet edhe protesta e thirrur të shtunën e 16 shkurtit. Lënia e mandateve konsiderohet një vendim i fortë politik, dhe nuk priten surpriza. PD ka denoncuar se Rama po bën përpjekje për të joshur emra në listën e gjatë prej 150 kandidatësh, që të pranojnë mandatin.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi foli për këtë tentativë dy netë më parë në një intervistë në Opinion, kur bëri thirrje që kryeministri të heqë dorë nga skema e blerjes së emrave poshtë vijës fituese. Nëse do të ketë individë që nuk do të pranojnë të dorëzojnë mandatet, kjo mund të ndikonte në dëmtimin e formulës së PD, po nuk e zbeh forcën e vendimit të marrë, shkruan Mapo.
Edhe deklarata e fortë e Ambasadës së SHBA, kur mbrëmë u bënte thirrje deputetëve të mos i binden urdhërave të partive, mund të japë efekte, mund të bëjë që dikush të mendohet. Joshja qeveritare nga ana tjetër pritet të jetë e madhe, pasi ka filluar tu bëhet e ditur njerëzve, lista e privilegjeve, nga pensioni e deri tek dietat e telefoni falas. Megjithatë, burime nga PD tregojnë se nuk do të ketë ketë befasi, dhe sot në darkë, gjithçka do të jetë e mbyllur.