Sot nis vaksinimi anticovid i mjekëve dhe kryeministri Rama po mban dhe një konferencë për shtyp ku ka deklaruar se janë hapur 4 kanale për sigurimin e dozave të nevojshme, dhe dozat e sotme vijnë nga një vend i BE-së, emrin e të cilit ai u shpreh se nuk mund ta thoshte për shkak të momentit jo të përshtatshëm të kërkesës në treg.
“Ministrja Manastirliu do të bëjë një panoramë më pas, por dua të nënvizoj se ndjehem vërtet i lehtësuar për faktin se jo vetëm kemi arritur në kushte aspak të lehta të sigurojmë 500 mijë doza Pfizer, por dhe të sigurojmë që të vijnë para afatit falë marrëdhënieve bilaterale me vendet e tjera në një kohë kur strategjia e BE u investua në sistemin e kolapsit dhe sot që flasim është në një drejtim të papërcaktuar në kohë.
Nëse do të ishim në pritje të COVAX do të ishim ende duke pritur. Ndaj u investuam dhe në kanale të tjera dhe ia dolëm që të kontaktojmë drejtpërdrejt dhe të hapim me Pfizer një kontakt dhe marrëdhënie intensive, dhe kemi hapur 4 kanale të tjera bilaterale me 4 vende dhe vaksinimi që fillojmë sot është nga një prej vendeve të BE që nuk jam i autorizuar ta them dhe për shkak të kërkesës së tyre, por meqë është folur shume po ju them që jo nuk është Greqia. Ne kemi sot të siguruar rrugën e vaksinës me doza të parashikuara muaj pas muaji. Gjithashtu do të hapim kanale dhe për sigurimin e vaksinës së Astra Zeneca”, u shpreh Rama.
Ndërkohë Rama është shprehur se dozat e para janë dhuruar nga një shtet i BE-së sipas një marrëveshjeje shkëmbimi të mëvonshëm. Kryeministri gjithashtu nuk e ka kursyer sërish BE-në në kritika.
“Nëse do të shikoni se si Bashkimi Europian ka vendosur të bëjë këtë proces duke menduar vetëm me veten e vetë. Ka një proces ku një vend X është i gatshëm të jap një pjesë të dozave në dispozicion pasi nuk i përdor menjëherë dhe vendos t’i shes. Ka kanale ku një vend i duhet të garantojë më shumë doza në pak kohë dhe një vend i X i siguron një sasi dozash me shkëmbim për t’i marrë mbrapsht në një kohë tjetër. Ky është një efekt i diplomacisë tonë të suksesshme.
Duke shfrytëzuar aftësinë tonë për të menaxhuar dhe duke shfrytëzuar respektin që kemi krijuar partnerët për ne bëmë të mundur sigurimin e vaksinave. Mund të them se në një garë lypsash për vendin e tyre unë jam pretendenti për vendin e parë”, tha kryeministri.